FRANKFURT, 5 tetor /ATSH-DPA/ – Ekonomia e ngadaltë globale po rëndon mbi eksportet gjermane, sipas të dhënave qeveritare që tregojnë se shitjet e produkteve “Made in Germany” ranë ndjeshëm në gusht.
Rënia e eksporteve, e parë gjerësisht si nxitësi kryesor i ekonomisë së Gjermanisë, ishte pjesërisht më e theksuar se sa pritej nga ekspertët e industrisë.
Sipas raportit, eksportet gjermane ranë me 5,8% në gusht krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, dhe u ulën 1,2% në krahasim me muajin e kaluar.
Analistët kishin parashikuar mesatarisht një rënie prej vetëm 0,6% krahasuar me korrikun.
Tregtia me vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka regjistruar një rënie.
Eksportet drejt vendeve të tjera të BE-së ranë me 1,5% në 69,6 miliardë euro krahasuar me korrikun, ndërsa shitjet në SHBA ranë 1,3% në 13.3 miliardë euro.
Ndërsa, eksportet drejt Kinës, u rritën në gusht me 1,2% në 8.4 miliardë euro.
Shumë kompani gjermane mbështeten në shitjet ndaj klientëve të huaj dhe shitjet globale janë një tregues për ekonominë e vendit të orientuar drejt eksportit.
Importet në Gjermani, arritën në 111,4 miliardë euro në gusht, duke shënuar një rënie edhe më e madhe prej 16,8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2022.
Krahasuar me korrikun, importet në gusht ranë 0,4%. //a.i/












