GRANADË, 5 tetor /ATSH-DPA/ – Ruajtja e solidaritetit evropian me Ukrainën është sfida më e madhe me të cilën përballet kontinenti, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në mbledhjen e liderëve në Spanjë, mes shqetësimeve se premtimet e ndihmës për Kievin mund të ngadalësohen ndërsa afrohet dimri i dytë i luftës.
Deklarata e Zelensky erdhi gjatë një samiti të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Granada, Spanjë, ku disa dhjetëra liderë evropianë u mblodhën për të diskutuar rritjen e bashkëpunimit, pavarësisht tensioneve gjeopolitike që po tronditin kontinentin.
Zelensky theksoi rëndësinë e forcimit të mbrojtjes ajrore të Ukrainës përpara atij që pritet të jetë një tjetër dimër i ashpër.
“Ne u kërkojmë udhëheqësve të vazhdojnë ndihmën e tyre ushtarake”, tha Zelensky.
Ai kritikoi trazirat politike në Kongresin e SHBA-së, që çuan në përjashtimin e ndihmës për Ukrainën, në bazë të një projektligji të shpenzimeve të miratuar së fundmi.
“Amerika na ndihmoi, ndihmoi Evropën të mbijetonte. Dhe tani është e rëndësishme që Evropa “të mos fshehë velat nga era, duke u përpjekur të presë stuhinë”, tha ai.
“Sigurisht që Evropa nuk mund të zëvendësojë SHBA-në”, tha kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ndërsa mbërriti në takim.
Ai shtoi se shpreson që SHBA-ja të vazhdojë të ndihmojë Kievin.
“Megjithatë, BE-ja po punon për të zgjeruar ndihmën e saj”, shtoi Borrell.
“Të gjithë evropianët po mbështesin Volodymyr Zelensky dhe vendin e tij”, tha kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i cili ishte mikpritësi i takimit. //a.i/












