Ballina Ekonomi

Rama: Vitin e ardhshëm, edhe hotelet do të kenë çmime reference

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një diskutim me sipërmarrjen se hotelet vitin e ardhshëm do të kenë referencë.

Rama u shpreh se, TVSH-ja e ulur për turizmin nuk na e ka dhënë rezultatin e premtuar dhe të dëshiruar për më shumë formalizim.

“Tani si mendoni ju? Ju mendoni që hotelet në breg të detit, që ne e dimë shumë mirë, se nuk është sekret dhe nuk është diçka që kërkon një analizë të madhe, mjafton të bësh disa sondazhe të vogla nëpërmjet Drejtorisë së Taksave, për të kuptuar që tjetër janë çmimet që deklarohen, tjetër janë çmimet që paguhen. Dhe tjetër është niveli i okupimit dhe tjetër është niveli që deklarohet”, u shpreh ai gjatë diskutimit me sipërmarrjen mbi nismën e re të qeverisë për një rishikim tërësor të procedurave administrative të biznesit dhe shkurtim të hallkave burokratike e përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit.

“Ne e dimë shumë mirë. Unë personalisht kam pasur dy raste këtë verë për miq që kanë ardhur nga jashtë, që më kanë kërkuar t’i ndihmoj se nuk gjenin një dhomë dot, në gjithë bregdetin e Shqipërisë. Tani si e lidhim ne këtë me deklarimin që hoteli “x” e hoteli “y” kanë qenë 70%, e 60%, e 50% të okupuar. Kështu që edhe hotelet duhet të përgatiten që vitin e ardhshëm do të kenë referencë, patjetër. Të gjithë hotelet do të kenë një çmim reference dhe unë dua kaq, pastaj të tjerat merri t’i gëzosh, po kaq ti do t’ia japësh shtetit”, tha Rama.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSTOKHOLM – Agostini, Krausz dhe L’Huiller marrin çmimin Nobel në Fizikë
Artikulli tjetërBasha në Laprakë: Mbështetje biznesit për të krijuar alternativën e re ekonomike