Ballina Aktualitet

Rama: BE, e bindur për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor


TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Europian”.

Kryeministri iu drejtua sot me një fjalë Ministerialit euroballkanik të ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni, në kuadër të Procesit të Berlinit, që u mbajt në Tiranë, me pjesëmarrjen e mbi 20 delegacioneve të nivelit të lartë.

“Besoj fort se në këtë moment mjaft përcaktues për Europën dhe bashkësinë tonë të vlerave, që është komuniteti i përbashkët i vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur tanimë koha të mendojmë jashtë kornizave, dhe është pikërisht kjo ajo çfarë duam të bëjmë me këtë Samit dhe ajo çfarë po ndjejmë nga të gjitha komunikimet dhe bisedat tona me miqtë tanë të Bashkimit Europian”, theksoi ai.

Rama tha se gjërat kanë ndryshuar dhe ne shohim me mjaft interes se në Bashkimin Europian ka një bindje shumë të fortë dhe janë më syhapur karshi rëndësisë që Ballkani Perëndimor ka për Bashkimin Europian.

“Besoj se nuk e teproj nëse them që sot Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Europian.”

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakInvestimet e huaja në Shqipëri, rritje mbi 30% këtë vit
Artikulli tjetër80-vjetori i lindjes së shkrimtares Helena Kadare, ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare