TIRANË, 11 tetor /ATSH-Gjergji Mima/ – “Nëpërmjet operacionit “Forca e Ligjit” bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Gjermanisë po merr një shtysë edhe më të madhe”, – deklaroi sot Peter Henzler, zv.President i BKA, (Zyrës Federale Kriminale) të Gjermanisë në një prononcim për mediet me ministrin e Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj, pas takimit të mbajtur në Tiranë.
Ai theksoi se “Shqipëria dhe Gjermania ndodhen në një zonë të përbashkët europiane. Ka gjermanë që jetojnë në Shqipëri dhe shqiptarë në Gjermani. Dhe siç e dimë shumica e njerëzve në Gjermani dhe në Shqipëri janë të ndershëm që zbatojnë dhe respektojnë ligjin. Por për fat të keq ka dhe të tillë që me anë të veprimtarive kriminale dëmtojnë shoqërinë dhe këta ne duhet t’i ndalojmë së bashku”.
“Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Gjermanisë ka një traditë të madhe. Ne kemi oficerë ndërlidhës në Shqipëri dhe Shqipëria ka oficerë ndërlidhës në Gjermani. Nëpërmjet operacionit “Forca e Ligjit” bashkëpunimi ynë po merr një shtysë edhe më të madhe”, – u shpreh Henzler.
Zv.President i BKA, shtoi më tej se, “bisedat që patëm me ministrin, por edhe në nivel policor treguan që duhet të intensifikim përpjekjesh për të identifikuar autorët, për t’i çuar para ligjit, por edhe për t’i sekuestruar paratë e përfituara nga veprimtaria kriminale. Për këtë Shqipëria, ministri konkretisht ka hartuar një strategji mbresëlënëse. Elementët shumë profesionalë të kësaj strategjie japin shanse për ta luftuar krimin në mënyrë shumë efikase”.
Kjo strategji, nënvizoi ai, “është mbështetur në aspektet moderne dhe gjithëpërfshirëse së bashku me agjencitë ligjzbatuese që bashkëveprojnë. Edhe në si palë gjermane kemi miratuar një Task Forcë në Gjermani që do të punojë shumë ngushtë me Task Forcën shqiptare”.
“Gjatë bisedimeve që pata në Shqipëri u sigurova që ministri dhe autoritetet e përfshira janë në rrugën e duhur dhe do të arrijë në rrugën drejt suksesit. Zyra e Krimeve në Republikën Federale të Gjermanisë do ta mbështesë Shqipërinë”, – përfundoi Henzler. /a.g/





















