Ballina Flash

UNI, balet premierë në TKOB, lufta e vështirë me veten

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Pas koncertit “Tumankuqja”, Teatri i Operas, Baletit e Ansamblit Popullor përgatitet për një tjetër shfaqje që premton sukses. Bëhet fjalë për baletin premierë UNI.

“A është më e vështirë lufta me veten apo me botën? UNI i balerinëve të Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka shumë për të na treguar mbi këtë dilemë”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale.

Me baletin premierë UNI rikthehet vëmendja te brendia jonë, një udhërrëfim i sfidave që hasim e egot që përkëdhelim, duke na e bërë më të thjeshtë përballjen me vetveten për ndërtimin e një uni të denjë për këtë shoqëri.

E sjellë nga vetë ata që lartësojnë vlerat e këtij institucioni, artistët e trupës së baletit të TKOB-së, nën koreografinë e Julind Dervishit, asistencën e balerinëve Livia Lara e Rovena Shqevi, dhe muzikën e Barbatuques, Brent Lewis, David Toop, etj., të formuluar nga Andi Vrap, baleti kontemporan UNI do të përcjellë mesazhe sensibilizuese mbi luftën me vetveten e me botën përreth.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMegaoperacioni “Tempulli”, shkon në 91 numri i të ndaluarve
Artikulli tjetërFOKUS – Shtëpia e Bardhë: Kina dhe SHBA kërkojnë bisedime të nivelit më të lartë