TIRANË, 5 shtator/ATSH/ Me ftesë të ish-kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, një pjesë e deputetëve të opozitës u mblodhën këtë të martë në Tiranë për të diskutuar axhendën parlamentare dhe joparlamentare.
Në fjalën e tij, Gazment Bardhi apeloi për bashkim të opozitës. Duke theksuar se mes ligjvënësve të opozitës, ka më shumë elemente që bashkojnë se sa i ndajnë, Bardhi vuri theksin tek reforma zgjedhore si kryefjalë e axhendës së opozitës.
“E kam thirrur këtë takim me besimin e plotë që çështjet që na ndajnë, janë shumë më pak se çështjet që na bashkojnë. Një nga çështjet që besoj na bën të gjithëve bashkë ka qenë dhe prioriteti që kemi shpallur në tre sesione të shkuara parlamentare, por që për fat të keq nuk kemi bërë asnjë hap përpara. Kemi eksperiencën e masakrës zgjedhore të 25 prillit, masakrës zgjedhore të 14 majit, që bën urgjente detyrën që çdo deputet i opozitës të caktojë reformën zgjedhoren si prioritet”, u shpreh ai.
“Edhe pse gjatë kësaj periudhe ka patur një komision të Reformës Zgjedhore, për fat të keq në dy vite punë, nuk ka arritur të prodhojë asnjë produkt. Kësisoj, çështja e parë që duhet të diskutojmë është sesi opozita parlamentare do ta çojë përpara reformën zgjedhore. Biem dakord dhe besoj s’ka askush iluzionin që masakra zgjedhore dhe mënyra sesi Edi Rama realizon zgjedhjet, jo të gjitha fenomenet kriminale të ndërtuara prej tij mund të zgjidhen përmes ndryshimeve në Reformën Zgjedhore”, sqaroi Bardhi.
“Padyshim ka disa çështje, që duhet të jenë prioritet i punës sonë, e që do duhet të adresohen me ligj. Edhe gushti na tregoi se kemi përpara qeverinë ndoshta më të papërgjegjshme në historinë e Shqipërisë, çdo ditë kemi një skandal. Duhet një axhendë llogaridhënëse nga opozita që realizohet përmes komisioneve hetimore parlamentare”, tha Bardhi.
“Unë gjykoj që sigurisht që sot duhet të flasim për çështje që na bëjnë bashkë, por pa lënë mënjanë dhe çështje të tjera në dobi të shqiptarëve. Por duke nisur nga çështjet që na bëjnë bashkë, kam bindjen që ne mund të gjejmë zgjidhje dhe për çështje që këndvështrimin tonë mund të duken krejt të kundërta”, shtoi Bardhi.
“Ndaj bindjen dhe besoj me shumicën prej jush, që kjo s’do të na pengojë që sot të unifikojmë një qëndrim të aksionit tonë opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës, duke nisur me një axhendë të përbashkët parlamentare”, vijoi Bardhi.
Kryetari i grupit të “Rithemelimit”, Sali Berisha duke nënvizuar rëndësinë e reformës zgjedhore, kërkoi bashkërendimin e punës së opozitës brenda e jashtë Kuvendit. Ai paralajmëroi edhe protesta.
“Edhe njëherë shpreh vlerësimin tim. Ju ftoj ju sipas kohës së lirë që keni, nesër në një paraqitje që ne do t’i bëjmë raportit për farsën elektorale të 14 majit. Asgjë nuk ka që ne nuk dimë, por ka një gjë, që ne faktojmë dhe dokumentojmë, ngrihemi kundër atij koncepti që thotë se; ky i vjedh, por i fiton zgjedhjet”, tha Berisha.
“Ky i vjedh zgjedhjet dhe zgjedhjet e vjedhura nuk janë të fituara. Dhe këtu ne duhet të dokumentojmë dhe besoj se ne ia kemi dalë atij qëllimi, me atë raport që paraqitet me shumë dokumente”, u shpreh ai.
“Kombet që janë në vështirësi përdorin ligje të forta, në mënyrë që të dominojnë një fenomen që po e rrënojnë, shkatërrojnë atë. Kemi reformën për zgjedhjet. Ai siç e dini është i aftë për çdo gjë për të përcaktuar kuadrin zgjedhor, por besoj se përcaktimin më të vërtetë të jetës së tij, e bëri kur tha: Kodi zgjedhor është një kinezëri. Megjithatë ne do të bëjmë gjithçka që vendi të ketë një kod zgjedhor që të japë zgjedhjet më të drejta të mundshme për qytetarët shqiptarë”, tha Berisha.
Më tej, kreu i “Rithemelimit” foli edhe për protesta.
“Nuk është një mision i lehtë, është një mision shumë i vështirë. Është një mision i vështirë sepse Edi Rama ka krijuar mekanizmat kriminale të grabitjes së mandateve dhe është në bindjen time më të thellë, se vetëm protestat e qëndrueshme popullore mund t’i tregojnë vendin atij. Por kjo nuk mund të jetë armë e vetme e opozitës. Opozita në vlerësimin tim, ka dhe duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë”, tha ai.
Berisha i bëri ftesë dhe forcave të tjera opozitare.
“Ky është një takim i deputetëve të dalë nga lista e PD-së në zgjedhjet e 2021. Bashkërendimi me forca të tjera politike opozitare si Partia e Lirisë dhe nëse dëshirojnë shumë të mirëpritur edhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e Idrizit dhe të kemi një front të gjerë dhe eficient”, theksoi Berisha.
“Ne ulemi këtu me mandat deputeti dhe jemi kaq dhe të tjerë që nuk janë këtu, por në fund të fundit, nuk duhet të harrojmë kurrë se mandatet tona janë marrë në një terren në të cilin qeveria ka diktuar më të gjitha mënyrat, vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Ka krijuar një reaksion fatal në të cilin krimi shndërrohet në vota dhe vota në krim. Ky reaksion është shndërruar në një faktor pothuajse përcaktues të spastrimit etnik të Shqipërisë sa kurrë ndonjëherë në historinë e saj. Nga ky rreth vicioz nuk ka asnjë mekanizëm tjetër daljeje përveç se përgjegjësive të opozitës”, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu, u shpreh se opozita duhet të zhvillojë takime të tilla çdo javë përpara seancës në parlament, për të koordinuar punën jo vetëm parlamentare, por edhe axhendën jashtëparlamentare.
“Dita e sotme, është në gjykimin tim për të vlerësuar e për të qenë të përgjegjshëm përballë atyre që na votuan në vitin 2021 si Aleancë për Ndryshim, për të qenë bashkë përballë kësaj qeverie. Dhe për të qenë bashkë është një domosdoshmëri në shërbim të interesit kombëtar për të vepruar përmes një axhendë të përbashkët parlamentare”, tha Mediu.
/r.e/






















