TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë së Lezhës ka vijuar kontrollet antikanabis, duke finalizuar fazën e 21-të të megaoperacionit “Imazhi”.
Në kuadër të këtij operacioni janë asgjësuar nëpërmjet djegies, 654 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në 2 fshatra, në Mirditë dhe në Lezhë.
Policia e Shtetit njoftoi sot se, si rezultat i kontrolleve të pandërprera në zona të thella malore të qarkut, për të parandaluar dhe për të goditur tentativat për të kultivuar bimë narkotike, Policia e Lezhës ka finalizuar fazën e 21-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, në kuadër të së cilës: në një kodrinë në fshatin Kaçinar, Mirditë, u gjetën të kultivuara 534 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa; në fshatin Buten, njësia administrative Ungrej, u gjetën të kultivuara 120 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Këto bimë, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Vijojnë veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
/r.e/












