Ballina Aktualitet

OSBE, mbështetje agjencive ligjzbatuese shqiptare për forcimin e kapaciteteve hetimore

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi në datat 26-27 qershor, një program trajnimi dyditor për shtatëmbëdhjetë pjesëtarë të Policisë së Shtetit (PSH), Byrosë Kombëtare të Hetimit (NBI) dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Veprimtaria e trajnimit u mbajt me mbështetjen e Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, si dhe të organeve ligjzbatuese të shtetit italian, sikurse Policia e Shtetit, Guardia di Finanza dhe Grupi i Operacioneve Speciale të Karabinierëve.

Programi i trajnimit synonte forcimin e kapaciteteve të përgjithshme hetimore dhe operacionale të agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Gjatë trajnimit u trajtuan tema të tilla si instrumentet legjislative të BE-së në përgjithësi dhe Platforma Shumëdisiplinore Evropiane Kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT) me në qendër rrjetet kriminale me rrezikshmëri të lartë në veçanti, veprimet operacionale që përfshijnë Ballkanin Perëndimor, hetimi financiar dhe penal i rrjeteve të krimit të organizuar transnacional, analiza e të dhënave dhe përdorimi i teknikave speciale të hetimit, si dhe lidhjet mes korrupsionit dhe krimit të organizuar transnacional.

Kjo veprimtari u organizua nga Departamentet e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për Bashkëpunim për Sigurinë dhe për Qeverisjen për Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore.

Ajo u mbajt në kuadër të projekteve të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje zbatimit të ligjit shqiptar për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal” dhe “Veprim i Konsoliduar kundër Korrupsionit në Shqipëri”. Këto projekte synojnë t’i vijnë në ndihmë agjencive ligjzbatuese shqiptare në fuqizimin e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit, mësimin nga praktikat më të mira të organeve simotra evropiane, si dhe mbështetjen e zhvillimit të Policisë së Shtetit dhe reformimit të saj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTransmetimi i ndeshjeve të kampionatit dhe kupës, FSHF ndërpret kontratën me shoqërinë “Over Sport”
Artikulli tjetërShkrimtarja suedeze, në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit