Ballina Aktualitet

Manja: Paga e magjistratit do të indeksohet çdo dy vjet

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka folur sot në Kuvend lidhur me projektligjin për rritjen e pagës për punonjësit e administratës publike.

Në fjalën e tij, Manja tha se është në nderin tonë dhe të këtij Kuvendi që të japin votën pro këtij projektligji, me efekt që nga data 1 prill.

“Një mjek i përgjithshëm në sistemin e burgjeve, sot merr 86 920 lekë, do të marrë 136 900 lekë. Një infermier merr 46 700 lekë, pasi ne të japim votën këtu, do të marrë 51 100 lekë”, tha Manja.

Manja shtoi se rritje të qenësishme do të marrin edhe punonjësit e policisë së burgjeve, gradë për gradë.

Duke u ndalur te rritja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët ndryshime në ligj i cili kërkon 84 vota, Manja tha se “këto ndryshime që kalojmë sot sigurojnë zbatimin me korrektësi të vendimit të Gjykatës Kushtetues, nuk cenon të drejtat e fituara të magjistratëve në raport me pagën”.

“Me ndryshimin që propozojnë në ligjin e statusit për prokurorët e gjyqtarët, ministri tha se “ekspertët e Ministrisë së Financave kanë përllogaritur pagën reale që kanë fituar magjistratët sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pa cenuar këtë pagë bruto kanë referuar koeficientin e kësaj page të Presidentit dhe një risi e këtij ligji është fakti se paga e magjistratit do të indeksohet çdo dy vjet në raport me normën e inflacionit.

Manja nënvizoi se “magjistratë kanë edhe një shtesë page ligjore. Ata kanë shtesën e vështirësisë për pozicion në ligj, 92 % mbi pagën bruto dhe sipas niveleve marrin edhe shtesën e rritjes së pagës.

“Me këtë ligj një magjistrat që sapo del nga shkolla e magjistraturës dhe merr emërimin në një nga nivelet e gjyqësorit, e ka pagën 290 000 lekë bruto. Ndërsa prokuroria dhe gjykata speciale 640 mijë lekë të reja pagën bruto, ndërsa prokurorët 600 mijë lekë të reja. Ka qenë marrëveshja jonë me reformën në drejtësi që sistemi i drejtësisë të ketë një trajtim financiar të diferencuar nga pjesa tjetër e administratës shtetërore dhe publike.

Gjithashtu, Manja i është përgjigjur akuzave të kryetarit të Komisionit të Rithemelimit të PD-së, deputetit Sali Berisha lidhur me zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Dua ti them zotit Berisha që mos dëgjo vetëm zërat e brendshëm për zgjedhjet e 14 majit që të mblidhen në kokë. As servilët që të thonë kemi fituar më 14 maj, por reflekto dhe dëgjo edhe zërat e atyre demokratëve qëndrestarë që të kanë dhënë votën dhe vazhdojnë që të të japin votën. Nga zëri i këtyre do fillojë ringritja e së djathtës në Shqipëri”, është shprehur Manja.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSpiropali ftesë Berishës: Pas 24 muajsh të vish e të shikosh zonjën Shkodër të zgjuar nga letargjia
Artikulli tjetërRritja e pagave, Balla: Reformë e rëndësishme për 190 mijë punonjës të shtetit