TIRANË, 15 maj /ATSH/ Ministri i Brendshëm njëherësh drejtuesi politik i qarkut të Beratit, Bledi Çuçi tha sot se rezultatet e zgjedhjeve vendore të 14 majit si qark janë 5 me 0, ndërkohë që Dimali ka edhe tre kuti pa numëruar, por që edhe ato thellojnë avantazhin.
Në një prononcim për mediet, Çuçi theksoi se “diferenca është jo e vogël, goxha e madhe me kundërshtarët e kryetares së Dimalit. Berati ka akoma për të numëruar, patëm një ndërprerje se e kërkuan komisionerët e opozitës, por është i fituar se i gjithë trendi dhe pritshmëritë tona treguan se shkon në 63-64 %”.
“Skrapari dhe Poliçani e mbyllën shumë herët, Poliçani me 75 %, Skrapari është fitore spektakolare. Në Kuçovë ndikoi hapja e kutive, sepse u hapën kutitë ku kundërshtari kishte avantazhin e tij”, tha Çuçi.
Çuçi u shpreh se “pas këtij rezultati ne duhet të reflektojmë sepse pritshmëritë tona ishin më mirë për Kuçovën, por kjo na bën mirë se duhet të shohim veten dhe të rimarrim avantazhin absolut dhe të padiskutueshëm që kemi pasur në Kuçovë”.
/k.s/r.e/





















