STOKHOLM, 13 maj /ATSH-DPA/ – Vendet e Bashkimit Evropian duhet të rrisin ndihmën e tyre për Ukrainën duke synuar 1,0% të PBB-së së tyre, deklaroi ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna.
”Estonia tani ka ofruar mbështetje për Ukrainën me vlerë më shumë se 1,0% të PBB-së së saj”, tha Tsahkna në kuadër të një takimi në Stokholm ku ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të takohen sot me homologun e tyre ukrainas, Dmytro Kuleba.
“Kjo është me të vërtetë shumë për një vend të vogël si Estonia”, tha ai.
”Talini po i siguron Kievit gjithçka që mundet dhe ne vërtet shpresojmë që të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë”, tha Tsahkna, duke shtuar se 1,0% e PBB-së duhet të jetë një qëllim i përbashkët.
Sipas institutit ”Kiel”, Gjermania i ka dërguar Ukrainës ndihma ushtarake, humanitare dhe financiare me vlerë 0,2% të PBB-së në vitin e parë pasi Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë, në shkurt 2022.
”Ukrainasit po luftojnë edhe për ne”, tha Tsahkna, vendi i të cilit ka një vijë kufitare me Rusinë dhe fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në 1991.
“Është liria, pavarësia dhe siguria jonë për të cilat ata po luftojnë”, shtoi ai./ a.jor.























