Ballina Aktualitet

Gjiknuri-Schultz: Në Tiranë, konferenca e së majtës progresiste

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri zhvilloi sot një takim me presidentin e Fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”, Martin Schulz, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Në një prononcim për mediet pas takimit, Gjiknuri u shpreh se me Fondacionin “Friedrich-Ebert-Stiftung” po punohet mbi sfidat që po kalon Shqipëria në këtë periudhë.

“Schulz është një nga personalitet e mëdha të politikës gjermane, ka qenë ish-president i Parlamentit Europian, drejtues i grupeve socialdemokrate të majta, është një bashkëpunëtor i afërt i Partisë Socialiste, i qeverisë shqiptare, një mik i joni. Jemi duke punuar së bashku me Fondacionin “Friedrich-Ebert-Stiftung” në lidhje me politikën e jashtme, sfidat që po kalon Shqipëria në këtë periudhë, që kalon Ballkani Perëndimor dhe pse jo të rrisim bashkëpunimin në të gjitha nivelet europiane”, tha ai.

Gjiknuri informoi se “bashkë me Fondacionin “Friedrich-Ebert-Stiftung” po përgatitemi të zhvillojmë një konferencë të madhe në lidhje me të majtën progresiste dhe idetë për të majtën, sidomos me fokus Bashkimin Europian dhe sfidat që kalon Ballkani Perëndimor”.

“Schulz tha se ka parë shumë ndryshime në Shqipëri, është një mbështetës i madh i politikave tona. Gjithçka është evidente që Shqipëria ka ndryshuar dhe meriton të ecë përpara”, tha ai.

Pyetjes nëse Ilir Meta do të jetë i ftuar në këtë konferencë, Gjiknuri iu përgjigj: “Ilir Meta është i rreshtuar me koalicionin e së shkuarës dhe nuk ka më lidhje me të majtën, dhe besoj se ju e dini që ai nuk është më pjesë e grupeve progresiste dhe nuk përfaqëson asgjë për të majtën. Madje dhe emrin e partisë e ka ndryshuar, kështu që e ka zgjidhur këtë dilemë vetë dhe nuk ka nevojë ta komentojmë ne këtu”.

Nga ana e tij, presidenti i Fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung” vlerësoi shumë punën e bërë në Shqipëri, zhvillimet politike dhe ato të lidhura me Bashkimin Evropian.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFituesit e Fondit të Teatrit për të Rinj
Artikulli tjetërUEFA Development U-16, Shqipëria me pikë të plota pas dy sfidash