TIRANË, 2 maj/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama mori pjesë sot në një takim me banorë të Devollit, ku prezantoi kandidatin e Partisë Socialiste për këtë bashki, Eduart Duro.
Rama iu drejtua qytetarëve se, “nuk ka nevojë për fjalë shumë, sepse punët flasin vetë se si ishte Devolli kur ju na dhatë mundësinë që ne të drejtojmë, dhe si është sot”.
“Kemi projekte për të bërë, duhet ta shtrijmë në fund këtë bulevard dhe këtë pedonale që është bërë kartëvizita e Devollit”, theksoi Kryeministri.
“Nuk e them për fjalë të bukura, por të majtë e të djathtë në Devoll e kanë një emërues të përbashkët – punën, njerëz punëtorë, njerëz të fortë, të sakrificës që i kanë duart me kallo njerëz që ne duam dhe do t’i mbështesim gjithnjë e më fort, pa i dalluar majtas e djathtas”, tha Rama.
“Juve ju duhet që qyteti, apo fshati, ku rrisni fëmijët, e ku keni familjen, të ketë rrugë, trotuare, ndriçim, shërbime, çerdhe, kopshte, shkollë, që qendrat shëndetësore të funksionojnë dhe bashkia të jetë një derë e hapur për të gjithë”, iu drejtua Rama qytetarëve.
Duke falënderuar deputetin e PS-së në Devoll, Ilir Topi, Rama tha se, “më lejoni që në fillim të shpreh një konsideratë të veçantë për deputetin tuaj, të cilin e respektoj në mënyrë të posaçme, sepse ka ardhur këtu, jo thjesht për të kërkuar votat dhe pastaj për të ndenjur e ngrohur karrigen në parlament, por është këtu me ju vazhdimisht dhe kurrë asnjëherë në të gjitha rastet që jemi takuar nuk ka kërkuar asgjë për vete, por më flet për bashkinë e Devollit, për problemet, nevojat dhe për shpresat tuaja”.
“Iliri bashkë me Eduartin, janë një dyshe e mirë partnerësh në këtë bashki dhe më duket një budallëk i madh që të mendohet se kjo punë e nisur, kjo harmoni, këto ura të forta mes nesh, jush, falë Ilirit e Nikos, të hidhen në erë për të futur në bashki dikë. Unë nuk e njoh fare e as nuk dua ta njoh, por mjafton kush e sjell për dhëndër për t’u thënë mos fusni sherrin në bashki, në qytet, në komunitet”.
Kryeministri Rama u shpreh se, “nuk kam ardhur në Devoll, as në ndonjë bashki, për t’i fryrë ndonjë sherri për të bërë politikë të madhe me komunitetet që kanë nevojë për të zgjidhur hallet e problemet e tyre që nga më të voglat deri më të mëdhatë. Kishit një kryetar bashkie që ishte i atyre që kthehen vetëm mbrapa dhe jemi përpjekur ta mbështesim, por vështirë, shumë humbje kohe, energjie, njerëz të çuditshëm. Mos e bëni gabimin që të humbisni edhe 4 vite të tjera se, nuk ka kohë për të humbur, duhet të shikojmë përpara”.
/k.s/ /gj.m/r.e/























