Ballina Flash

“Fototeka”, hap “dyert” muzeu virtual me mbi 7 mijë imazhe

TIRANË, 21 mars/ATSH/ Muzeu virtual “Fototeka” ka hapur ‘dyert’ për të pasionuarit pas fotografisë.

Në këtë muzeu virtual publikohet trashëgimia fotografike në territoret shqiptare nga fundi i shekullit XIX deri në fund të regjimit totalitar.

Në këtë muze pasqyrohen mbi 7000 imazhe të ndarë në 7 periudha historike, shkrepur nga dhjetëra fotografë, kryesisht të juglindjes së Shqipërisë, ku shpaloset më shumë se një shekull histori.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se “me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, me kontributin e koleksionistëve privatë, Fondacioni “Art & Histori” hapet një dritare ku mund të zbuloni imazhe që nuk i keni ndeshur kurrë më parë”.

Në këtë muze shfaqen rreth rreth 40 albume nga fundshekulli XIX – mesi i shekullit XX, si pllaka xhami, diapozitivë, negativë në letër, filma, printe origjinale.

Këto albume përmbajnë imazhe nga Lufta e Parë Botërore, ndërtimet e trupave italiane në ishullin e Sazanit (1918 -1922) në qytetin e Vlorës (1916 – 1920), ndërtimi i portit të Durrësit (1929-1932), vizitat e kontit Galeazzo Ciano (1938), pelegrinazhi në ‘Kuotën 731’, Rehovë, Skrapar në kujtim të Luftës Italo-Greke (1941) etj.

Të pranishme janë edhe albumet propagandistike të periudhës komuniste, që ilustrojnë ndërtimin e hekurudhës së parë Durrës-Peqin (1947), ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve ‘Stalin’ (1951), ndërtimin e hidrocentralit ‘Lenin’ (1951) e duke vazhduar më tej me albumet dhuratë për diktatorin Enver Hoxha.

Rreth 2000 negativët në pllaka xhami, qindra negativë të tjerë në letër apo film, pjesë e këtyre koleksioneve, u digjitalizuan dhe u kthyen në imazhe pozitive për të lehtësuar aksesin në përmbajtjen e tyre. Materiali i digjitalizuar përmban fotografi nga fundshekulli XIX gjer në mesin e shekullit XX dhe çdo imazh është plotësuar me përshkrime, vite dhe teknika në formën e skedave digjitale.

Këto koleksione të rralla hedhin dritë mbi mënyrat e jetesës së njerëzve të ndryshëm që jetuan dhe punuan në këto territore rreth një shekull më parë, zakonet, besimet dhe traditat e tyre.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFRANKFURT – Çmimet evropiane të gazit bien në nivelin më të ulët në 18 muaj
Artikulli tjetërArrestohet 57-vjeçari, drejtonte në gjendje të dehur autobusin e linjës së Laprakës