Ballina Flash

Alibeaj: Propozoj kandidatë të përbashkët dhe unikë

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj mblodhi pasditen e sotme Kolegjin e Kryetarëve dhe Kryesinë e PD.

Në dalje Alibeaj dha një prononcim për mediat ku vuri theksin tek thirrja për të gjithë kandidatët për bashkitë, nga ana e demokratëve, që të bashkohen dhe të dalin me një kandidat të përbashkët dhe unik për zgjedhjet vendore të 14 majit, ku nuk përjashtoi edhe ata të dalë nga procesi i primareve.

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit për të kthyer për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë çështjen e logos së PD-së, Alibeaj është shprehur se nuk përbën ndonjë moment triumfi dhe as fitimi, por përbën përgjegjësi që struktura e PD-së të marrë energji të reja.

“Një mbledhje e Kolegjit të Kryetarëve, e cila duhet të kthehet në ritual për faktin që jemi në një situatë parazgjedhore. Vendim i Gjykatës së Apelit nuk përbën ndonjë moment as triumfi dhe as fitimi. Nuk përbën një moment revanshi. Më tepër se kaq është ngarkimi me përgjegjësi historike për të rimarrë struktura e PD-së energji të reja”.

Ai u shpreh se, i propozoi 3 çështje strukturave.

“Ajo çfarë kam propozuar është që fokusi kryesor janë zgjedhjet e 14 majit. PD e ka detyrim që të jetë e fokusuar tek zgjedhjet e 14 majit. 3 çështjet kryesore që ju propozova strukturave: Lidhur me aleancat: PD merr përsipër ndërtimin e një aleancë sa më të gjerë të partive të djathta me qëllim maksimizimin e votave brenda kornizave demokratike dhe ky është komponenti i parë.

Lidhur me këshillat bashkiakë: Në bazë dhe vendim të Kryesisë dhe Kolegjit të Kryetarëve, u kam propozuar dhe është miratuar që të fillojë nga puna duke ftuar demokratët dhe intelektualët që të bëhen pjesë e listave të këshilltarëve të PD në bashkitë respektive. Do të jetë një vendimmarrje që do të përcaktojnë dhe detajet lidhur me përbërjen e listave.

Lidhur me kanidiatët: Në funksion të bashkimit dhe duke konsideruar realitete që kanë krijuar primaret e para viteve 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidatë të tjerë i kanë propozuar PD, hapjen pa asnjë lloj kufizimi ndaj të gjithë këtyre prurjeve, kandidatëve tanë dikur të propozouar, kandidatura të tjera, me synim, daljen me një kandidat unik në çdo bashki”, tha Alibeaj.

“Synimi i vetëm që duhet të kenë demokratët është rrëzimi i Edi Ramës dhe bashkimi i forcave. Ta heqim dozën e madhe të urrejtjes që është mes nesh. Qëllimi është që të dalim me një kandidat unik fitues, bazuar në vlerat demokratike. Ndihem drejtuesi i PD-së që nga momenti që Basha bëri dorëheqjen”, theksoi ai.

Sa i përket kandidatëve të përbashkët në zgjedhje, Alibeaj u shpreh se, “ashtu siç kemi thënë 3 apo 4 muaj më parë me formulën se si të mund të zgjedhim një kandidat unik duke mos përjashtuar asnjë prej kandidatëve edhe ata që kanë dalë nga primaret. Kemi propozuar sondazhet, por është e drejta e secilit prej kandidatëve të prodhuar prej primareve të vijnë tek flamuri i PD”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKarçanaj: Falë digjitalizimit, frytet e para të një sistemi shëndetësor më cilësor
Artikulli tjetërRama takim me Scholz, në fokus kryesimi i Procesit të Berlinit nga Shqipëria