Ballina Aktualitet

Çështja “McGonigal”, Berisha: Rama po pengon hetimin parlamentar

TIRANË, 22 shkurt/ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, kryeministri Edi Rama ka vendosur ta kapërcejë skandalin “McGonigal”, duke paralizuar hetimin parlamentar, duke paralizuar të drejtat e deputetëve, të drejtën e fjalës.

Duke folur për çështjen e agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se, “nesër është përsëri një seancë e parlamentit, në të cilën siç duket, pseudoshumica e skandaleve, e vjedhjeve, vazhdon bllokimin e parlamentit dhe asgjësimin, shkelmimin e të drejtave të opozitës”.

“I ngërthyer dhe i pashpresë në Rama-gate, apo Uotergejtin e shekullit të 21-të, Edi Rama beson dhe mendon, ose ka vendosur ta kapërcejë këtë skandal, duke paralizuar hetimin parlamentar, duke paralizuar të drejtat e deputetëve, të drejtën e fjalës. Edhe njëherë, dua t’u bëj të qartë të gjithë qytetarëve shqiptarë, se në këtë çështje, me këtë skandal, janë dëmtuar interesat e mbarë shqiptarëve, sepse afera Rama-McGonigal ishte një ‘levë Arkimedi’ për konsolidimin, për fitoren e paligjshme dhe konsolidimin e pushtetit të Edi Ramës, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen”, tha ai.

“Shqiptarët janë dëshmitarë për të gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që iu dha Edi Ramës, pavarësisht nga dhunimi i zgjedhjeve, pavarësisht nga shndërrimi i vendit në një protektorat krimi, pavarësisht nga vjedhjet e shfrenuara të fondeve, buxhetit, pasurive publike të shqiptarëve. Nuk ka dyshim se prapa kësaj mbështetje qëndronte edhe dora e zezë e Charles McGonigal, i cili i paguar nga Edi Rama, nëpërmjet Dorian Duçkës, këshilltarit të tij personal, i cili i dha 225 mijë dollarë në garazhet dhe banesën e Agron Nezës, bëri gjithçka që sipas një skenari supermafioz, duke tradhtuar vendin e tij, betimin ndaj ligjit dhe Kushtetutës, besimin e presidentit të SHBA dhe të Kongresit amerikan ndaj tij dhe u mor me shkatërrimin e opozitës shqiptare, me qëllimin e vetëm, që pagatori i tij të vazhdonte të qëndronte në pushtet dhe ta paguante më tej”, tha ai.

Po ashtu, Berisha tha se, i bëj thirrje inspektorit të përgjithshëm të DASH, komisionit të Kongresit të SHBA-ve dhe vetë FBI-së të hetojë me hollësi këto akte dhe veprime.

“A ka implikim, a ka lidhje, lista që Lulzim Basha dorëzoi për biznesmenët që gjoja mbështesnin foltoren, se absolutisht asnjë prej tyre nuk kishte dhënë asnjë qindarkë, dhe pastaj thirrja e tyre një nga një nga zonja Kim? A ishte kjo një praktikë për t’i çuar drejt grupit gjobëvënës? Ndaj i bëj thirrje inspektorit të përgjithshëm të DASH, komisionit të Kongresit të SHBA dhe vetë FBI-së të hetojë me hollësi këto akte dhe veprime. Një gjë është e sigurt, që McGonigal, Mark Rossini, Neza, Duçka nuk operuan në ishullin e Robinson Kruzosë. Ata ishin në një vend ku kryqëzohen shumë rryma e shërbime. Si mundi të vazhdojë veprimtaria e pashqetësuar për 5 vite me radhë? Me ç’mënyrë mbyllën veshët e atyre që duhet t’i shihnin? Helidoni thonë se është viktimë se i pa. Ai duhet të flasë dhe të deponojë. Po të dojë edhe në Kongres të shkojë. Nëse është kjo, ai meriton një vlerësim. Nëse nuk është kjo, prapë mbetet enigmë. Nuk e bëri Gennaro këtë, e bëri kryeministri i Shqipërisë, e bëri kryezbuluesi i FBI, kjo tejkalon edhe imagjinatën hollivudiane. Edi Rama nuk mund t’i shpëtojë kësaj kurrë, prapa diellit të shkojë. Ai do u thotë shqiptarëve gjithçka për këtë”, u shpreh Berisha.

“I bëj thirrje Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës të ndërhyjnë me urgjencë, të krijojnë komisione hetimore. Kjo sepse Duçka ka marrë peng edhe zyrtarë të lartë në vendet evropiane. Prandaj duhet të ndërmarrë një hetim të plotë se çfarë solli kjo. Kjo solli përdorimin e korrupsionit ndërkombëtar për të goditur antikorrupsionin në Shqipëri, për të goditur opozitën në Shqipëri”, tha Berisha.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama u prezanton sipërmarrësve japonezë rakinë shqiptare
Artikulli tjetërSiguria kibernetike, Peleshi: Qeveria e vendosur të afrojë më të mirët e tregut