Ballina Bota

OKB – SHBA: Këshilli i Sigurimit të dënojë testet raketore të Phenianit

NJU JORK, 21 shkurt /ATSH-DPA/ – SHBA i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të dënojë vargun e fundit të testeve raketore të kryera nga Koreja e Veriut.

“Ne i bëjmë thirrje secilit anëtar të këtij Këshilli që të bashkohet me ne për të dënuar me forcë aktivitetet e paligjshme të Phenianit dhe ta nxisë atë të angazhohet në rrugën diplomatike”, tha Linda Thomas-Greenfield, ambasadorja e SHBA në OKB, gjatë një konferencë të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork.

Kërkesa e saj erdhi pasi Pheniani të hënën lëshoi dy raketa balistike të dyshuara me rreze të shkurtër veprimi drejt Detit Lindor, siç njihet edhe Deti i Japonisë.

Nisja erdhi dy ditë pasi Pheniani lëshoi atë që tha se ishte një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) të shtunën.

Rezolutat e OKB-së e ndalojnë Korenë e Veriut të testojë raketa balistike të çdo rrezeje, të cilat – në varësi të dizajnit të tyre – mund të pajisen edhe me një kokë bërthamore.

Do të ishte testi i parë i një rakete të tillë në më shumë se një muaj.

Japonia ka kërkuar tashmë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me lëshimet.

SHBA-ja nuk arriti të siguronte një rezolutë që përcaktonte sanksione më të ashpra ndërkombëtare për Korenë e Veriut përmes Këshillit të Sigurimit majin e kaluar, për shkak të vetos nga Rusia dhe Kina.

Thomas-Greenfield tha se shkelja e vazhdueshme e Phenianit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit kërkon një përgjigje.

“Ne jemi të ngarkuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, tha ajo.

Pheniani ka akuzuar vazhdimisht Uashingtonin se ka ndihmuar fqinjin e tij për t’u përgatitur për një sulm, një pretendim që SHBA dhe Koreja e Jugut e hedhin poshtë./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTURQI – Erdogan: Muajin e ardhshëm fillojmë ndërtimin e shtëpive në zonat e goditura nga tërmeti
Artikulli tjetërPjesëtarët e FSK-së kthehen nga Turqia, priten në aeroport nga Kurti