Ballina Bota

MOSKË – Lukashenko takohet me Putinin për bisedime

MOSKË, 17 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij bjellorus, Alexander Lukashenko zhvilluan sot një takim në Moskë ku diskutuan bashkëpunimin midis dy vendeve në çështjet ekonomike dhe të sigurisë, sipas agjencisë ruse të lajmeve.

Lukashenko theksoi bashkëpunimin teknologjik të shteteve fqinje aleate, duke thënë se bashkëpunimi i tyre i bën të kota sanksionet perëndimore. Të dy vendet janë të izoluara ndërkombëtarisht pas pushtimit rus të Ukrainës gati një vit më parë.

“Vendet e Perëndimit nuk e kanë privuar Rusinë dhe Bjellorusinë nga potenciali i tyre në teknologjinë kompjuterike”, tha Lukashenko gjatë takimit në rezidencën e Putinit në Novo-Ogaryovo.

Ai tha gjithashtu se Bjellorusia po prodhonte rreth 1000 komponentë për avionët civilë të Rusisë MS-21 dhe “Sukhoi Superjet”.

“Me ndihmën e Rusisë, Bjellorusia është gjithashtu e aftë të prodhojë avionë luftarakë tokësorë”, tha Lukashenko.

Avionë të tillë përdoren për të mbështetur njësitë e këmbësorisë së vendit dhe mund të sulmojnë objektivat e armikut në tokë.

Ndalimi i dërgesave të çipeve perëndimore dhe teknologjisë kompjuterike si rezultat i sanksioneve po godet industrinë ruse, veçanërisht sektorin e mbrojtjes.

Industrisë ruse të aviacionit i mungojnë pjesët rezervë për flotën e saj “Airbus” dhe “Boeing”.

Rusia ka humbur gjithashtu shumë nga avionët e saj bombardues luftarakë tokësorë Sukhoi Su-24 gjatë sulmeve kundër ushtrisë ukrainase.//a.i./

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMYNIH – Stoltenberg: Ukraina mund të fitojë kundër pushtimit rus
Artikulli tjetër“Liria ka emër”, Rama ndan videon e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës