TIRANË, 13 shkurt/ATSH – I. Vata/ Ambasada e SHBA në Shqipëri shpërndau sot një mesazh për qytetarët amerikanë në Tiranë për protestën e thirrur nga opozita përpara Kuvendit.
Ambasada publikoi të dhënat mbi vendndodhjen e zhvillimit të protestës, akset e rrugëve që do të bllokohen, orarin dhe kontakte për ndihmë në rast incidenti.
Në njoftim ambasada thekson se, protesta do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” – përballë Kuvendit. Teksa njofton se, rrugë të bllokuara do të jenë: Rruga “George W. Bush”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe pjesë të mundshme të rrugës së Elbasanit.
“Kjo protestë ka potencialin të përhapet në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve. Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha. ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit”, njofton ambasada e SHBA-së.
/r.e/






















