TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ “Lufta kundër krimit kibernetik në Shqipëri – Sfidat e reja në kuadër të procesit të integrimit” titullohej tryeza e mbajtur sot në Tiranë në kuadër të Platformës së Partneritetit për integrimin europian, tryeza për Kapitullin 24.
Kjo tryezë u organizua nga Ministria e Brendshme dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri, ku morën pjesë përfaqësues nga institucionet shtetërore të linjës si Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, AKCESK, BKH, shoqëria civile dhe universitetet.
Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, negociator dhe kryetar i grupit ndërinstitucional të punës për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria, Siguria”, tha se takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit europian.
Ai evidentoi hapat e marra nga qeveria shqiptare në luftën kundër krimit kibernetik, duke theksuar disa nga arritjet kryesore të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit në këtë drejtim si dhe sfidat për të ardhmen.
Suela Bonjaku, specialiste në Sektorin për Hetimin e Krimit Kompjuterik në Policinë e Shtetit, gjatë fjalës së saj u përqendrua në legjislacionin shqiptar për luftën kundër krimit kibernetik, përputhshmërinë e tij me acquis e BE, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në këtë drejtim.
Gjithashtu, u bë një prezantim më i detajuar mbi arritjet dhe sfidat e Policisë së Shtetit, si dhe mundësitë e bashkëpunimit me aktorë të tjerë shtetërorë e joshtetërorë.
Robert Bohunicky, ekspert në Byronë e Policisë Kriminale, Ministria e Brendshme e Sllovakisë, u ndal në kuadrin ligjor të BE-së në këtë fushë dhe strukturën administrative në Policinë e Shtetit si dhe mënyrat e bashkëpunimit mes strukturave shtetërore po dhe aktorëve të tjerë për të luftuar krimin kibernetik në Sllovaki.
Aktorë nga shoqëria civile treguan interes për masat lidhur me fuqizimin dhe qëndrueshmërinë e kapaciteteve për të luftuar krimin kibernetik si dhe shprehën gatishmërinë për të ndihmuar në këtë proces të rëndësishëm.
/k.s/r.e/






















