Ballina Flash

Sipërfaqja e akullit në Antarktidë në nivelin më të ulët rekord

BREMEN, 10 shkurt /ATSH-DPA/ – Sipërfaqja e akullit të detit në Antarktidë ka arritur nivelin më të ulët rekord më 8 shkurt.

“Të dhënat satelitore kanë regjistruar një sipërfaqe te akullit prej vetëm 2.2 milionë kilometrash katrorë që mbulon Oqeanin Jugor”, sipas Institutit Alfred Wegener (AWI) në Gjermani.

Ky është niveli më i ulët i sipërfaqes së akullit që nga fillimi i regjistrimit në 1979, ndërsa periudha e shkrirjes së verës pritet të vazhdojë deri në fund të muajit.

Rekordi i mëparshëm ishte sipërfaqja prej 2.27 milionë kilometra katrorë, rreth një vit më parë, më 24 shkurt 2022.

Gjatë vitit, sipërfaqja e  akullit të detit në Antarktidë arrin kulmin në shtator ose tetor dhe arrin një pikë të ulët në shkurt.

“Në kulmin e saj, në përgjithësi mbulon deri në 20 milionë kilometra katrorë”, sipas AWI, duke u shkrirë në rreth 3 milionë kilometra katrorë, në verë.

Në gjashtë vitet e fundit, lindja dhe perëndimi i Gadishullit Antarktik kanë përjetuar temperatura gjithnjë e më të ngrohta të ajrit.

Është e paqartë nëse sipërfaqja e akullit do të mbetet e qëndrueshme.

Biologia detare, Franziska Saalmann e organizatës mjedisore “Greenpeace” tha se niveli i ri rekord tregon se kriza klimatike vazhdon të përshkallëzohet.

“Kjo na prek të gjithëve, dhe është një turp që vazhdojnë të planifikohen sipërmarrje të reja të karburanteve fosile”, tha ajo. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakApeli do të shqyrtojë më 3 mars çështjen e vulës dhe logos së PD-së
Artikulli tjetërKalendari kuqezi për kombëtaret e moshave dhe vajzave