TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Raporti i kredive me probleme shënoi rënie gjatë muajit dhjetor 2022, duke u ulur poshtë nivelit 5%.
Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, raporti i kredive me probleme e mbylli vitin e kaluar në nivelin 4.99%, nga 5.65% që kishte qenë në fund të vitit 2021.
BSH-ja bën të ditur se, ulja e raportit të kredive me probleme është ngadalësuar ndjeshëm edhe me bazë vjetore.
Sipas Bankës Qendrore, për vitin 2021, raporti i kredive me probleme ishte ulur me 2.46 %, për vitin 2022, rënia e raportit ishte 0.66 %. Ndërsa krahasuar me nëntorin, raporti i kredive me probleme u ul me 0.06 %.
Krahas indikatorëve të tjerë, rritja e portofolit të kredisë në total ka një rol të rëndësishëm në rënien e kredive me probleme.
Portofoli i kredisë për ekonominë, i matur si tepricë, në fund të vitit 2022 arriti vlerën e 713.3 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 7.1%.
/gj.m/r.e/























