Ballina Flash

Veshjet 100-vjeçare të klerit katolik shqiptar ekspozohen në Shkodër

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Veshjet liturgjike të klerit katolik shqiptar të 100 viteve të fundit janë ekspozuar për herë të parë në Muzeun e Dioqezës së Shkodrës.

Me ndalimin e fesë, veshjet liturgjike të priftërinjve u sekuestruan nga regjimi dhe në ndryshim nga pasuritë e tjera të kishës, nuk u shkatërruan, por u vendosën në muzeun ateist, duke i përdorur për demaskim.

Sot, muzeu i Dioqezës në Shkodër ka ekspozuar për publikun këto veshje, mes të cilave qëndron edhe veshja autentike e Dom Simon Jubanit.

Vlera e këtyre veshjeve qëndron tek gjetja dhe ruajtja e tyre gjatë regjimit komunist, kur feja ishte e ndaluar.

Veshjet liturgjike, janë një karakteristikë e veçantë për historinë e Shqipërisë, një vend ku feja e dënua me ligj për 50 vite. Këto veshje kujtojnë lidhjen e shqiptarëve me Zotin dhe faktin se, shqiptarët nuk e humbën asnjëherë besimin në Zot.

Krahas objekteve kishtare, zbulimeve të ndryshme arkeologjike apo veprave të artit, Muzeut të Dioqezës i është shtuar ky seksion i posaçëm, i cili të përfshin në një rrugëtim unik të prezencës së krishterimit në vendin tone. Së shpejti, muzeu pritet të fitojë dhe akreditimin nga Ministria e Kulturës.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKurti: Pse Serbia nuk lejon Asociacione një-etnike, derisa e kërkon në Kosovë?
Artikulli tjetërKredia me probleme u ul në nivelin 4.99 %