Ballina Flash

Mbyllja e shkollave, PD: Platforma e mësimit online nuk funksionon

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Partia Demokratike ka reaguar për masat që mori Ministria e Arsimit dhe Sportit, për mbylljen e disa shkollave të arsimit parauniversitar për shkak të reshjeve të dendura të shiut që përfshin vendin.

Drejtuesja e departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula në një deklaratë për mediet tha se, “Kushi bashkë me stafin e saj duhej të angazhoheshin menjëherë që mësimi për fëmijët, gjatë këtyre ditëve që nuk do të shkojnë në shkollë, të zhvillohet online. Ministrja ka pasur njoftim ditë më parë nga ministri i mbrojtjes Niko Peleshi dhe nuk mori asnjë masë”.

Sula u shpreh se, zonja Kushi duhet të sqarojë ku janë platformat digjitale “E – learning System”dhe “Sokrates” me vlerë miliona euro, si dhe t’u thotë nxënësve, mësuesve e prindërve pse nuk po funksionon platforma SMIT me vlerë 8 milionë euro për mësim online.

“Kushi duhet të thotë të vërtetën sa dhe pse ka rënë numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm. Për vitin shkollor 2022-2023, numri i nxënësve që u regjistruan në klasën e parë, është mbi 5% më pak se viti 2021-2022”, u shpreh Sula.

Sipas saj, askush nuk mund të gënjejë për laboratorë smart për mësimin e TIK e të lëndëve të tjera, ndërkohë që në këto ditë janari nxënësit nuk kanë asnjë ngrohje në klasë e në disa shkolla të tjera të zonave, që i ka pushtuar uji, tavani po i bie fëmijëve në kokë.

Gjithashtu Sula u shpreh se, “askush nuk mund të gënjejë për trajtimin e tyre financiar kur dihet se gjithë ajo punë misionare që kryejnë ata është e keqpaguar. Askush nuk mund të marrë peng arsimin me aplikacione digjitale për të shantazhuar mësuesit në prag të fushatës”.

Sula theksoi se, arsimi është sistem ekzistencial e themeltar i kombit, ndaj bëjmë të qartë se kushdo që e përdor atë, së shpejti do të përballet me forcën e ligjit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Scholz vlerëson Francën si partnere të ngushtë
Artikulli tjetërKIEV – Zelensky kërkon dhënien fund të pengesave për eksportet ushqimore ukrainase