ONTARIO, 19 janar /ATSH/ – Kanadezëve u kërkohet të kufizojnë konsumin e tyre të alkoolit në dy pije në javë, sipas udhëzimeve të reja kombëtare, shkruan faqja people.com/health.com
Qendra Kanadeze për Përdorimin e Substancave dhe Varësinë (CCSA) përditësoi udhëzimin e saj për alkoolin dhe shëndetin, duke rekomanduar që gratë të kufizojnë konsumin e tyre në dy pije standarde në javë dhe burrat të kufizojnë konsumin e tyre në gjashtë pije standarde në javë.
Vendi përcakton një pije standarde si një shishe birrë, një gotë verë ose vetëm 1 gotë të vogël pije alkolike me ngjyrë.
“Mesazhi kryesor i këtij udhëzimi të ri është se çdo sasi alkooli nuk është e mirë për shëndetin tuaj,” theksoi për BBC Erin Hobin i Shëndetit Publik në Ontario.
Udhëzimi i përditësuar vjen pas dy vitesh kërkimi, i financuar nga Health Canada, që përfshin rreth 6 000 studime të rishikuara nga kolegët dhe afro 1 000 sondazhe mbi ndikimin e përdorimit të alkoolit.
Udhëzimi i mëparshëm, i lëshuar në 2011, rekomandonte jo më shumë se dy pije në ditë. CCSA tani thotë se konsumimi i më shumë se dy pijeve alkoolike në javë rrit rrezikun e goditjes në tru ose kancerit.
Hobin shpjegoi se rreziku i kancerit të kokës dhe qafës rritet me 15% me tre pije standarde në javë.
‘’Studimet e fundit tregojnë gjithashtu se nivelet e ulëta të konsumit rrisin pak rrezikun e presionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve të zemrës’’, sipas New York Times. /os/












