TIRANË, 17 janar /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi sot kërkesat ankimore të Ofruesve të Shërbimit Mediatik Audioviziv me objekt kundërshtimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e raportit të gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet 2021”.
KAS u njoh me pretendimet e OSHMA-ve kundër sanksioneve administrative të vendosura nga Komisioneri dhe vendosi që shpallja e vendimit të bëhet në seancën e datës 23 janar në orën 12:30.
Gjithashtu, KAS shqyrtoi elementet e formës dhe përmbajtjes së kërkesës ankimore të Frymës së Re Demokratike me objekt kundërshtimin e pikës 21 të vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe shfuqizimin e detyrimit të Partisë “Fryma e Re Demokratike” për kthimin e shumës prej 485.332 lekë ndaj KQZ.
KAS vendosi kalimin për shqyrtim në seancë publike në datën 23 janar në orën 12:45.























