Ballina Flash

Serbët protestë në veri: Vuçiç tradhtarë

PRISHTINË, 8 janar/ATSH/- Rreth 200 qytetarë serbë kanë protestuar sot në veri të Mitrovicës kundër, siç u tha “tradhtisë së madhe të presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe Listës serbe”.

Në këtë protestë, e cila o organizua nga “Popullata e pakënaqur”, u tha se qytetarët e veriut të Mitrovicës, janë tubuar sot për të dërguar porosi të qartë se Aleksandar Vuçiç me politikën e tij, si dhe Lista serbe, nuk përfaqësojnë më serbët që jetojnë në Kosovë.

“Shprehim pakënaqësinë tonë kundër largimit të barrikadave, të cilat u hoqën pa përmbushjen e plotë të kushteve të serbëve”, u tha mes tjerash gjatë protestës.

Gjatë protestës u dëgjuan këngë nacionaliste për Kosovën dhe Millosh Obiliqin, u brohorit Serbia, si dhe protestuesit mbanin mbishkrimin “Vuçiç, Kosova nuk të dëshiron, na ke tradhtuar, nuk e duam as Asociacionin tënd, na ke shitur”.

Protesta ka zgjatur rreth 45 minuta dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërsa forca të shtuara të sigurisë, KFOR-i, EULEX-i, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë vëzhguar situatën nga afër.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërfundon digjitalizimi i arkivit të pronave në Tropojë
Artikulli tjetërBERLIN – OKB: Lufta në Ukrainë ka shkaktuar valën më të madhe të refugjatëve që nga LIIB