TIRANË, 7 janar/ATSH-Maela Marini/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka informoi sot se gjatë vitit 2022 u ofruan 202 mijë shërbime konsullore për shtetasit shqiptarë jashtë vendit.
Në konferencën e sotme për mediet, Xhaçka theksoi se janë 700 mijë legalizime për dokumentet për përdorim jashtë vendit, ndërkohë që numri i shtetasve që janë pajisur me pasaportë dhe kartë identiteti nëpërmjet aplikimit në PDK është 90 mijë.
Po ashtu, ajo theksoi se përfundoi me sukses projekti “Ishujt” ne Greqi, nga i cili përfituan rreth 1000 shtetas.
“Është ofruar për herë të parë pajisja me dokumente biometrike në ambientet e vuajtjes së dënimit për shtetasit tanë në Greqi, prej të cilit kanë përfituar 36 shtetas, projekt i cili do të vijoje edhe më tej të zbatohet. Po ashtu, është zgjeruar harta e shteteve në të cilët ofrojmë pajisjen me dokumente biometrike edhe me përfaqësinë tonë në Otavë, Kanada”, tha ministrja.
Xhaçka informoi se i është dhënë rëndësi e veçantë të gjitha kërkesave të mbërritura nga vendet e BE-së dhe Nju-Jorku, të shtetasve shqiptarë në kushte të vështira shëndetësore spitalore ose regjim shtrati në shtëpi, ndërsa kanë përfituar shërbimin 76 shtetas.
“Janë trajtuar nga e-visa 20,615 aplikime për vizë shqiptare nga shtetas të huaj”, informoi ajo.












