Ballina Flash

Tabaku: Vit i jashtëzakonshëm për integrimin

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH – I. Vata/ Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Jorida Tabaku ka marrë pjesë në veprimtarinë e organizuar nga Kuvendi “Roli i Kuvendit në integrimin evropian të Shqipërisë.”

Në fjalën e  saj, Tabaku ka vlerësuar hapjen e parlamentit me studentë dhe të rinj.

“Parlamenti ka filluar të duket më mirë kohët e fundit edhe si rezultat i faktit se është hapur për studentë, për shkollat e mesme, për të rinjtë që ta bëjnë pak politikën më të thjeshtë për ju dhe të mos u dukemi gogolët që vetëm zihemi dhe debatojmë me  njëri-tjetrin. Unë besoj, se i bën mirë procesit të integrimit një debat i hapur me të gjitha grupet të interesit, por së dyti i bën edhe politikës në përgjithësi dhe dashamirësisë që ju keni ndaj politikanëve në momente të caktuara”, tha ajo.

Po ashtu Tabaku e konsideroi një vit të mirë dhe të jashtëzakonshëm për sa i përket procesit të integrimit.

“Ky ka qenë një vit shumë i mirë, një vit i jashtëzakonshëm. Një vit i vështirë lufte, por me rezultate konkrete në procesin e integrimit. Askush nuk mund ta mendonte që do të kishim kaq shumë rezultate me Presidencën çeke. Sot kemi Shqipërinë që ka filluar negociatat. Kemi filluar procesin screening, kemi një vendim për Kosovën për liberalizimin e vizave. Kemi një vendim për Bosnjën. Pra, kemi një perspektivë komplet tjetër për rajonin dhe BE, Vendet anëtare e kanë kuptuar që sigurisht ka vështirësi në këtë proces për zgjerimin, por nga ana tjetër është më mirë duke e pasur brenda Ballkanin Perëndimor, megjithëse nuk është ende gati, sesa të jetë jashtë”, tha ajo.

Tabaku tha se integrimi duhet kthyer në debat të madh e të hapur kombëtar.

“Unë besoj nuk ka asnjë dilemë për Shqipërinë dhe shqiptarët se kush është e ardhmja jonë. Kemi patur mbështetjen më të madhe financiare pikërisht nga Komisioni Evropian, por njëkohësisht nga vende të veçanta anëtare. Në debatin dhe në sherrin tonë të përditshëm, kemi ndikuar dhe ne të gjithë që ky proces të zgjatet e të shtyhet. Sigurisht  ata që e kanë në dorë, qeveria duhet me patjetër që këtë proces sot ta kthejë në një  debat të madh e të hapur kombëtar. Siç thuhet në raportet e studiuesve, integrimi është monopol i politikës dhe procesi i integrimit nuk është akoma procesi i qytetarëve, e duhet të jetë procesi i qytetareve. Unë do të bëj të pamundurën ta kthej këtë në një debat të hapur publik, po këtë së pari duhet ta bëjë qeveria. Të zgjerojmë procesin duke futur jo vetëm universitetet publike e private, shoqatat, grupet e interesit në mënyrë që edhe pranimi i rezultateve gjatë negociatave, pozicionet negociuese të jenë të pranueshme për të gjithë në fund të këtij procesi. Unë mendoj se kemi potencial të jashtëzakonshëm për të përfshirë”, tha Tabaku. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakREPUBLIKA ÇEKE – Zeman: Babis pasardhësi im i parapëlqyer
Artikulli tjetërPeleshi: NATO mbështetje për portin ushtarak në Porto Romano