Ballina Aktualitet

Berisha: Falënderoj Steinmeier për kujdesin që tregoi ndaj Nishanit

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se “dua të denoncoj me forcën më të madhe aktin kriminal, hakmarrjen primitive, antiligjore, antikushtetuese të Edi Ramës ndaj pronave të biznesmenit Irfan Hysenbelliu, që është njëkohësisht pronar mediesh”.

Në një prononcim për mediet, Berisha tha se “ju garantoj që kjo që shihni aty, nuk ka asnjë lidhje tjetër, përveç hakmarrjen e egër dhe primitive të Edi Ramës, për qëndrimin që këto media kanë mbajtur në informacionin për qytetarët shqiptarë”.

“Kam këtu shkresën ku IKMT në vitin 2017, merr përgjigje se resorti po ndërtohet mbi bazën e një vendimi të Këshillit të Ministrave. Pra, ka leje dhe çdo gjë”, nënvizoi Berisha.

Ai shtoi se “këtë herë do i paguajnë një për një, ne do bëjmë ligjin që çdo arbitrazh të dëmshpërblehet nga Edi Rama dhe Belinda Balluku”.

Berisha falënderoi Presidentin gjerman Stienmeier vizitën në vendin tonë.

“Presidenti vjen këtu si mik dhe kryetar i një shteti që ka ndihmuar Shqipërinë nga viti 90 deri me sot me mbi 1 miliard e 300 milionë euro. Një vend që ka mbështetur Shqipërinë në të gjithë përpjekjet e saj për të vendosur demokracinë dhe ekonominë e tregut.
Si ministër i Jashtëm, ai ka mbështetur çlirimin e Kosovës së bashku me qeverinë e vendit të tij. Interesi i tij për Shqipërinë dhe shqiptarët ka qenë gjithmonë prezent. Kam mirënjohje për kujdesin e tij njerëzor tejet të çmuar që tregoi për presidentin Bujar Nishani në momentet më kritike të jetës së tij”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u shpreh se “me këtë rast, i shpreh mirënjohjen më të thellë për aktin dhe gjestin e tij shumë njerëzor në mbështetje të përpjekjeve të presidentit Nishani në sëmundjen e tij”.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Bonusi i fundvitit, 5 mijë lekë për mbi 695 mijë pensionistë
Artikulli tjetërATHINË – Mitsotakis: Greqia eksportuese e sigurisë energjetike