Ballina Aktualitet

PD reagon për rezolutën e PE-së

TIRANË, 25 nëntor/ATSH – I. Vata/ Partia Demokratike deklaroi sot se Parlamenti Europian me rezolutën e miratuar disa ditë më parë njeh, mbështet dhe inkurajon vazhdimin e vendeve të rajonit me Procesin e Berlinit.

Në një deklaratë për mediet, drejtuesja e departamentit për Politikat me Jashtë në PD, Ilda Zhulali tha se “Parlamenti Europian me rezolutën e miratuar i është bashkuar Partisë Demokratike dhe frontit opozitar në protestën kundër qeverisë shqiptare”.

“Pa pritur datën 6 dhjetor, kur opozita do të dalë për të theksuar pikërisht ato që shpalos rezoluta, Parlamenti Europian i ka caktuar vijat e kuqe qeverisë dhe i ka hapur dritën e nderit dhe legjitimitetit manifestimit të Partisë Demokratike, ditën e samitit BE-Ballkani Perëndimor që do mbahet në Tiranë. Goditjen kryesore rezoluta ia ka dhënë ‘fëmijës së dashur’ të Edi Ramës dhe protektorëve të tij rajonalë e globalë, idesë së Ballkanit të Hapur. PE e thotë qartë: shprehim rezerva të forta për çdo nismë rajonale ekonomike, që nuk përfshin të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk bazohet në rregullat e BE, siç është Ballkani i hapur”. Rezoluta njeh, mbështet dhe inkurajon vazhdimin e vendeve të rajonit me Procesin e Berlinit”, theksoi ajo.

“Parlamenti Europian siguron se BE duhet të përparojë me negociatat e pranimit me Beogradin, vetëm nëse Serbia pajtohet me sanksionet kundër Moskës. Kryeministri i Shqipërisë, ndryshe nga PE, ka deklaruar se e kupton vendimin e Vuçiç për të mos i vendosur sanksione Putinit”, tha ajo.

Po ashtu, Zhulali theksoi se “Partia Demokratike e përshëndet rezolutën dhe përfundimet e saj, dhe i bën me dije partnerëve europianë se do të vazhdojë të jetë forca që, me bindje dhe koherencë, u përket dhe angazhohet për vlerat europiane të lirisë, demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut”.

“Partia Demokratike u bën thirrje vendeve anëtare të BE që të mos e lejojnë Edi Ramën të përdorë Samitin BE-Ballkani Perëndimor si mjet propagande për t’u thënë shqiptarëve se Europa e mbështet atë dhe qeverinë e tij. Gjuha e rezolutës së PE dhe rekordi i Edi Ramës përputhet plotësisht, dhe në këtë kuptim Partia Demokratike e përshëndet rezolutën dhe kërkon që mjetet demokratike të trysnisë mbi qeverinë shqiptare të vijojnë. Partia Demokratike dëshiron të përshëndesë edhe vendimin e Parlamentit Europian për të shpallur Rusinë “shtet terrorist”. Në një rajon me shumë rreziqe, Putini është një prej tyre, dhe integrimi europian është e vetmja rrugë e arsyeshme për shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve”, tha Zhulali.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSulm i njëjtë kibernetik me atë ndaj Shqipërisë ndaj agjencisë federale amerikane nga hakera të sponsorizuar nga Irani
Artikulli tjetërPD për arrestimin Çervanakut: Vërteton implikimin e politikës