Ballina Flash

Shqipëri-Kosovë, plan veprimi për bashkëpunimin mes komisioneve të Ligjeve

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Në kryesinë e Kuvendit u zhvillua sot takimi mes Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Klotilda Bushka Ferhati dhe anëtarët e këtij Komisioni, pritën delegacionin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i këtij Komisioni, Adnan Rrustemi.

Gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë e deritanishme të punës, në bazë të Marrëveshjes mes dy Komisioneve, nënshkruar më 11 mars në Prishtinë, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes e zbatimit të të drejtave të njeriut, edukimit ligjor, ndihmës juridike dhe aspekteve të tjera të shtetit të së drejtës.

Gjatë takimit u hartua dhe u miratua edhe plani i veprimit për agjendën e ardhshme të bashkëpunimit mes dy Komisioneve homologe.

Nga ky plan veprimi, u konkludua që të krijohen grupe të vogla pune nga të dy komisionet, për të zhvilluar takime edhe më të shpeshta, me qëllim shqyrtimin e çështjeve me interes për qytetarët e dy vendeve, nga ku mund të lindin nevoja e mundësi edhe për marrëveshje të reja.

Pas takimit, në një konferencë për mediet, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Bushka dhe homologu i saj në Kosovë Adnan Rrustemi e cilësuan nënshkrimin e marrëveshjes së sotme si ditë historike.

Bushka theksoi se, nga kjo marrëveshje do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës por edhe studentët e drejtësisë, institucionet dhe vetë media. Bushka gjithashtu bëri me dije se ka kërkuar për të pasur një konferencë të përbashkët mes dy vendeve për interesat që lidhin dy vendet.

“Sot në një ditë historike të nënshkrimit të marrëveshjeve do përfshihen studentët e drejtësisë në të dyja vendet për qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë. Sesi do përfshihen institucionet dhe media. Sesi ne komisionet do të ndjekim çdo pikë të marrëveshjesh. Do të kemi takime pune që do i shërbejnë çështjes kombëtare. Në fund do donim të zhvillonim një konferencë të përbashkët për interesat që na lidhin dy vendet, reforma në drejtësi etj. Ne jemi më konkret, me një plan konkret dhe në fund të na gjykojnë për përfitimet që do të marrin nga të dyja vendet”, tha Bushka.

Kryetari për Komisionin e Ligjeve në Kosovë, Adnan Rrustemi theksoi se, përvoja e Shqipërisë në sistemin e drejtësisë është nja hap që duhet të ecë paralel edhe Prishtina.
Rrustemi nënvizoi se përvoja e vendit tonë për Vettingun është një ndër çështjet themelore që duhet të adoptojë edhe Kosova.

“Ky bashkëpunim është një bashkëpunim mes dy Kuvendeve nga Glauk dhe Nikolla. Por dhe përafrimit të politikës ligjore. Sot u bë një plan konkret që çojnë në përmirësim të qytetarëve të dy vendeve. Për ndihmë të ndërsjellë juridike duke hequr barriera etj. Kemi patur takime pune për të përmirësuar sistemin e drejtësisë. Përvoja e Shqipërisë në drejtësi është i rëndësishëm për ne sidomos për Vettingun. Natyrisht për ti dhënë vendeve një sistem ligjor, të pavarur që natyrisht na bën vende demokratike dhe për sundimin e ligjit dhe të shtetit të së drejtës”, u shpreh Rrustemi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalluku: Borëpastrueset në terren për të mbajtur të hapur rrugën në Theth
Artikulli tjetërPeleshi nga Bërdica: Prurjet kanë rënë, shkarkimet në minimum nga kaskada e Vaut të Dejës