TIRANË, 18 nëntor/ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se “SPAK i partisë, po bën gjithçka për të mbyllur aferën e djegësave, për ta shitur si një aferë të disa punonjësve”.
Në një konferencë për mediet, Berisha tha se “çdo hap që bëhet, bëhet me qëllimin e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën nga krimi që ai personalisht ka kryer”.
“SPAK-i i partisë përpiqet që mbulojë këtë krim, por nuk mbulon dot, sepse përveç firmës antiligjore që Edi Rama vendosi për ndërmarrjen e tij, ai vendosi bashkë me Agaçin, të fusë duart e zeza në fondin rezervë të Këshillit të Ministrave dhe të transferojë paratë në Ministrinë e Mjedisit për inceneratorin, kur ajo nuk kishte asnjë qindarkë të vetme për këtë objekt”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu, Berisha deklaroi se do përdorin të gjitha format për të mbrojtur Portin e Durrësit, ndërsa paralajmëroi kompanitë e ndërtimit të mos marrin pjesë në këtë projekt.
“Çdo kompani ndërtimi që do marrë pjesë në projektin e Durrësit, do futet në listën e zezë. Të gjitha këto e bëjnë situatën në Shqipëri eksplozive. Qytetarët shqiptarë nuk mund të qëndrojnë duarkryq përballë këtyre akteve që kalojnë çdo imagjinatë të vjedhjes së pasurive të tyre publike. Ndaj dhe PD do përdorë të gjithë format për të kundërshtuar këtë plaçkitje të pronës publike më të çmuar që kanë sot shqiptarët. Ne, natyrisht do u prijmë të gjitha nismave për dështimin e këtij projekti”, deklaroi.
/r.e/












