TIRANË, 23 shtator/ATSH-Maela Marini/ Krimi i organizuar nuk njeh ngjyrime politike dhe kushdo që përpiqet të baltos operacionet e Task Forcës Speciale thjesht injoron punën e mundimshme të autoriteteve shqiptare.
Kështu deklaroi sot në një prononcim për ATSH-në, zv/ Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i cili foli për detajet e operacionit “Oaz”, që çoi në arrestimin e 11 personave si pjesë e grupit kriminal “Bajri”.
“Kur flitet për luftën kundër krimit të organizuar të gjithë duhet ta mbështesim, pasi grupet kriminale janë në dëm të qytetarëve të vendit, të sigurisë, rendit dhe demokracisë”, tha ai.
Ky operacion i realizuar me sukses nga Task Forca Speciale në kuadër të operacionit “Forca e ligjit”, sipas zv/ministrit të Brendshëm, ka marrë rreth 6 muaj hetime, shumë orë vëzhgime, përgjime, transkriptime e korrespondenca me shërbimet partnere për lokalizimin e anëtarëve të grupit.
“Kjo është një sakrificë njerëzore e oficerëve të hetimit të Task Forcës”, tha Lamallari, duke shtuar se, “si e tillë, kjo sakrificë duhet përgëzuar nga të gjithë”.
Duke iu referuar deklaratave të opozitës për këtë operacion, zv/ministri Lamallari u shpreh se “çdokush që përpiqet të baltos, ose të heqë e mohojë meritat e këtij operacioni të autoriteteve shqiptare, duke ia atribuar agjencive të tjera, thjesht injoron punën e mundimshme të Task Forcës”.
“Të mos harrojmë që Policia është e shtetit dhe krimi i organizuar kërcënon dhe është një rrezik për të gjithë. Krimi i organizuar nuk njeh ngjyrime politike dhe ‘Forca e ligjit’ ka standard goditjen e çdo lloj veprimtarie të paligjshme dhe autorësh të këtyre krimeve”, tha Lamallari.
Operacioni “Oaz” u përshëndet po ashtu edhe nga ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.
I pyetur mbi deklaratën e ambasadorit, zv/ministri i Brendshëm u shpreh se “çdo vlerësim për punën e Task Forcës është një motivim më i shtuar për të”.
“Mbështetja dhe bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Europian janë komponent kyç i punës së Task Forcës Speciale dhe luftës kundër krimit të organizuar transnacional”, tha Lamallari.
Ai vlerësoi po ashtu edhe asistencën dhe bashkëpunimin në rritje për Task Forcën Speciale nga vendet anëtare të BE-së.























