Ballina Aktualitet

Berisha: Komision Hetimor për portin e Durrësit

TIRANË, 16 nëntor/ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se shqiptarët do paguajnë 2 miliardë euro për portin e ri të Durrësit.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se “do ngrejmë komision hetimor dhe do protestojmë për Portin e Durrësit”.

“Meqenëse Edi Rama po vepron në mënyrë të rrufeshme për kalimin e ligjit për këtë marrëveshje, atëherë edhe ne në mënyrë të rrufeshme të krijojmë komision hetimor parlamentar dhe ta dërgojmë edhe këtë në Gjykatë Kushtetuese. Duhet të parashikojmë edhe tjetër armë që kemi në dorë, protestat e fuqishme kundër kësaj grabitje të tmerrshme”, tha Berisha.

Sipas tij, Rama po shkatërron portin shekullor dhe transporti tani do të bëhet nga Mali i Zi dhe Greqia.

“T’i shkatërrosh vendit portin shekullor, do të thotë të gjobisësh vetëm me transport, qindra e miliona, në mos miliarda euro në vite vetëm me transport, i cili do bëhet nga Mali i Zi, portet e Greqisë, dhe pjesërisht nga Vlora. Të shkulësh portin shekullor, për të cilin është projekti, investimi dhe çdo gjë, dhe të gjobisësh qytetarët shqiptarë me të paktën 2 miliardë euro që kërkon ndërtimi i portit të ri në Porto Romano, sipas specialistëve, dhe që duhet të ndërtohet sipas pronarit të Dubai City në Durrës, duhet të ndërtohet në Porto Romano, sepse ai kërkon që gjithë gjirin e portit ta shndërrojë për jahtin e tij, jahtin e Çuçit, të familjes së tij, jahtet e familjarëve. Kjo është e faktuar, cilido i them të referohet se çfarë pësoi porti i Bejrutit. E njëjta skemë. Një mori pallatesh dhe porti para për jahtet e pasanikëve të Bejrutit”, tha ai.

Berisha tha se duhet t’i dalim zot portit i Durrësit pasi është pasuri publike.

“Porti i Durrësit është pasuria më e madhe publike, në këtë port janë investuar qindra e qindra-milionë euro, dollarë. Edi Rama me Ballukun, të verbuar nga babëzia për ta përvetësuar këtë pasuri të madhe, shpallin përvetësimin e saj. Duhet t’i dalim zot në emër të çdo shqiptari që po vuan dhe mezi e përballon jetën, por edhe në emër të atyre që po ikin për këto arsye”, tha ai.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakInceneratori i Fierit, SPAK lëshon 11 urdhërarreste
Artikulli tjetërProgrami Rajonal për Demokracinë Lokale, Muzhaqi: Ndikim të drejtpërdrejtë tek të rinjtë