Ballina Flash

Kumbaro: Shqipëria, zero ndotëse në raport me vendet e tjera

TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se një nga politikat e rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria përballë sfidave të kushteve klimaterike është nisma që Shqipëria i është bashkuar koalicionit global për uljen e CO2 në mjedis.

E pranishme në Konferencën Ndërkombëtare për Mundësitë Ekologjike për Sektorin Financiar në Shqipëri të organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ambasada zvicerane dhe Banka Botërore, Kumbaro tha se, “Shqipëria është zero ndotëse për ngrohjen globale në raport me vende te tjera”.

Gjithashtu vijoi ajo, Shqipëria ka përmbushur përshtatjen e aspektit ligjor sipas standardeve më të mira përsa përket mbrojtjes nga ndryshimet klimaterike.

Në këtë aspekt vijoi Kumbaro përparësi ka marrë edhe zgjerimi i Zonave të Mbrojtura.

“Ne sot kemi rritur nga 17% në 21.5% territorin e Zonave të Mbrojtura ndërsa do të mbajmë angazhimin për rritjen e këtyre sipërfaqeve”, tha ministrja.

Ajo vuri fokusin në bashkëpunimin me institucionet financiare për investime të gjelbra që mbrojnë mjedisin dhe i përgjigjen impaktit të strategjisë së gjelbër që tashmë Shqipëria e ka hartuar me fokus sfidat e posaçme që adreson ndryshimet klimaterike.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRikualifikimi i Drilonit, Kumbaro: Pol i ri ekoturistik për gjithë qarkun
Artikulli tjetërAgron Loka paraqet kandidaturën në primare për bashkinë e Krujës