Ballina Aktualitet

Xhaçka: Përballimi i krizave, dëshmi e efikasitetit të projektbuxheteve

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se, Shqipëria ka përballuar kriza të njëpasnjëshme, si tërmeti dhe pandemia.

Në fjalën e saj në Kuvend, ku po diskutohet për projektbuxhetin e vitit 2023, Xhaçka u shpreh se, “nëse ka një pr/buxhet që është ndikuar nga politika e jashtme, ky është padyshim pr/buxheti i vitit 2023, sepse ky është një pr/buxhet i hartuar nën hijen e luftës në Ukrainë dhe të pasojave të saj të rënda ekonomike në të gjithë botën. Edhe për Shqipërinë, sigurisht, por veçanërisht për vendet demokratike krahas të cilave është rreshtuar edhe Shqipëria”.

Duke folur për deklaratat e deputetëve të opozitës, Xhaçka tha se, “në vend që të flasin për atë që është situata më e rëndësishme gjeopolitike me të cilën po përballemi, njëri syresh këtu zgjodhi që të sulmonte partnerët strategjikë, po ata partnerë, si Turqia, që na u gjendën me bujari në momentet më të vështira të tërmetit dhe të pandemisë, me bujari në ditën tonë më të keqe atëherë kur kishim më shumë nevojë”.

“Disa zgjodhën që të nxinin pikërisht ato elementë të politikë së jashtme të Shqipërisë që sot na i vlerësojnë të gjithë partnerët dhe aleatët, siç janë roli proaktiv në rajon në funksion të bashkëpunimit dhe ndërtimit të urave të komunikimit edhe përmes nismave si Procesi i Berlinit, apo Ballkani i Hapur, që ka për qëllim as më shumë dhe as më pak, por vetëm zbatimin në praktikë të Procesit të Berlinit”, theksoi Xhaçka.

Xhaçka u shpreh se, “vendi ynë si kurrë më parë respektohet dhe lëvdohet për politikën e tij të jashtme nga BE, nga SHBA-të dhe nga NATO dhe nga mbarë rajoni, por sulmohet nga opozita”.

Xhaçka theksoi se, “përballimi i krizave të njëpasnjëshme është dëshmi e efikasitetit që ka pasur hartimi i projektbuxheteve nga kjo qeveri”.

Xhaçka nënvizoi se, “Shqipëria nuk ka përjetuar krizat dramatike që kanë përjetuar vende me resurse më të shëndosha se ne”.

Kjo, theksoi Xhaçka “është dëshmi e menaxhimit të kujdesshëm të resurseve financiare e të taksave të shqiptarëve”.

Xhaçka u shpreh se, projektbuxheti 2023 është ndërtuar mbi të njëjtën logjikë, të një buxheti për një kohë lufte.

“Shqipëria po vuan ashtu si të gjithë aleatët pasojat e luftës në Ukrainë. Situata aktuale është produkt i strategjisë ruse për të shantazhuar botën demokratike  Përmes shndërrimit të ushqimit në armë lufte, ata duan të shkaktojnë pakënaqësi popullore e tensione politike. Është një shantazh për të detyruar botën demokratike të braktisë Ukrainën në mëshirën e Rusisë”, tha Xhaçka.

“Duhet të jemi të bashkuar që edhe Shqipëria të kontribuojë aq sa mundet në këtë përballje historike”, theksoi Xhaçka, e cila shtoi se, “vendi ynë është prekur nga lufta, por pasojat këtu janë shumë më modeste sesa në vendet e Evropës”.

Xhaçka u shpreh se, “nëse tek ne çmimet janë rritur me ‘për qind’, në Evropë janë rritur me ‘fish’. Sot shqiptarët e paguajnë energjinë elektrike me të njëjtin çmim si përpara krizës. Kjo nuk ka ndodhur me magji, por falë punës së qeverisë”.

Sa i përket projektbuxhetit 2023, Xhaçka nënvizoi se, “jemi përpjekur të bëjmë më të mirën. Është planifikuar për një situatë që është vërtet fluide dhe për një dimër të vështirë”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEkonomi: Hartimi i standardeve, kyç për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve
Artikulli tjetërCertifikimi veterinar sipas BE-së për importin e kafshëve të gjalla