Ballina Ekonomi

Sejko: Rritje e përdorimit të pagesave elektronike

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se në vitin 2021 është arritur një nivel i përdorimit të pagesave elektronike prej 12.5 pagesash për frymë, duke tejkaluar edhe objektivin e synuar të strategjisë prej 10 pagesash deri në fund të vitit 2023, ndërkohë që në vitin 2022, vlerësohet se kjo shifër do të arrijë nivelin 16 pagesa për frymë.

Në fjalën e tij, në mbledhjen e 8-të të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë në rolin e autoritetit monetar, rregullator e mbikëqyrës, i vlerëson përfshirjen financiare dhe edukimin financiar si dy objektiva strategjikë mjaft të rëndësishëm për stabilitetin monetar e financiar, formalizmin e ekonomisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj.

“Tashmë mund të themi që pagesat me kartë dhe ato homebanking gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e përditshmërisë së shqiptarëve, ndërkohë që dhe nga pikëpamja e përfshirjes financiare zhvillimet duken mjaft inkurajuese. Konkretisht, volumet e pagesave me kartë janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë pesëvjeçarit të fundit (2018-2022), duke shënuar një trend mesatar rritës prej rreth 40% në vit; si dhe është shënuar një rritjen e konsiderueshme me 78% e numrit të terminaleve POS gjatë së njëjtës periudhe. Këta tregues janë dëshmi e rritjes së përdorimit të instrumenteve elektronike nga konsumatorët, gjë që ndikon pozitivisht edhe në formalizimin e ekonomisë. Gjithashtu, nga të dhënat e disponuara sa i takon volumit të transaksioneve homebanking për këtë 9-mujor, rezulton se është shënuar një rritje prej 22%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke vijuar trendin rritës të shfaqur ndër vite”, tha ai.

Sejko vuri në dukje se falë të dhënave nga Regjistri Kombëtar i Llogarive, Banka e Shqipërisë disponon një pamje më të saktë dhe lehtësisht të përditësueshme mbi përfshirjen financiare të popullsisë.

“Këto të dhëna diktojnë se shqiptarët kanë një nivel relativisht të kënaqshëm të përfshirjes financiare, ku pothuajse 69% e popullsisë zotëron një llogari. Objektivi ynë fillimisht ishte arritja e një niveli të përfshirjes financiare të popullsisë në masën 70%, por vlerësojmë se në periudhën afatshkurtër ky nivel do të tejkalohet, duke shënuar përafrim të ndjeshëm me vendet e Ballkanit dhe ato të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Sejko theksoi se ligji “Për shërbimet e pagesave” përbën shtyllën kryesore të nxitjes së inovacionit dhe të konkurrencës, gjë që mund të vihet re edhe në interesin e shtuar të subjekteve që kërkojnë të hynë në këtë segment të tregut. Por, shtoi Sejko, materializimi i plotë i tij do të ndodhë me operacionalizimin e open-banking.

“Në këtë drejtim, angazhimi i bankave dhe jobankave duhet të jetë maksimal, në mënyrë që këto infrastruktura dhe shërbimet përkatëse të realizohen brenda afateve të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë, gjithmonë duke ofruar siguri maksimale. Siguria në komunikim dhe në ndërveprim është jo vetëm e nevojshme, por edhe e domosdoshme, në kushtet e komunikimit të hapur që imponon open-banking, si dhe në kuadër të rreziqeve të shtuara në sferën e sigurisë kibernetike, me të cilat po përballemi së fundmi. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore për të cilën Banka e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme si në vendosjen e standardeve të rregullimit të mirëpërcaktuara dhe gjerësisht të provuara nga vendet e Bashkimit Evropian, ashtu edhe në krijimin e hapësirave të nevojshme kohore që do të mundësonin një zbatim sa më efikas dhe të sigurt për të gjithë aktorët e tregut”, deklaroi Guvernatori Sejko.

Ai informoi se, Banka ka ndërmarrë edhe një sërë masash të tjera, si krijimi dhe operimi i sistemit AIPS-EURO për pagesat ndërbankare në euro brenda vendit.

“Krijimi i këtij sistemi, së bashku me diferencimin e komisioneve për pagesat elektronike të procesuara në të, duket se ka qenë mjaft efektiv. Nga janari deri në fund të muajit tetor të këtij viti, nëpërmjet sistemit AIPS EURO, janë procesuar rreth 120 mijë pagesa dhe rezulton se, për këtë periudhë, konsumatorëve dhe bizneseve shqiptare t’u jenë kursyer përafërsisht 10 milionë euro. Në këtë këndvështrim, mund të thuhet se projekti ka efekte të drejtpërdrejta dhe të tërthorta në mirëqenien individuale të klientit, të bankës, si dhe të ekonomisë në tërësi”, tha Sejko.

Sipas tij, rregullimi i debitimit direkt ndërbankar nxit më tej krijimin e një tregu sa më efikas, duke ofruar një larmishmëri shërbimesh dhe instrumentesh pagese, të cilat plotësojnë nevojat e përditshme të qytetarëve.

“Në këtë drejtim, vlen të theksohet se që prej muajit maj, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, AKSHI dhe sistemi bankar po bashkëpunojnë ngushtë, me qëllim krijimin e të gjitha alternativave të mundshme për kryerjen e pagesave në distancë, nëpërmjet mjeteve elektronike”, tha Sejko.

Sejko tha se një masë tjetër e rëndësishme që po ndërmerret është edhe hartimi dhe zbatimi i projektligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili do të transpozojë direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, ky projektligj synon të krijojë lehtësira nga pikëpamja e kostove të mbartura në hapjen e llogarive bankare dhe përdorimit të saj për pagesa nga ana e atij segmenti të popullsisë që nuk është i përfshirë financiarisht ose ka akses të limituar. Projektligji, shtoi ai, parashikon njëkohësisht edhe ofrimin e llogarisë bazike, pa komisione, për kategori të caktuara të popullsisë si pensionistët, studentët dhe personat që përfitojnë ndihma ekonomike.

“Me qëllim mbështetjen e zhvillimeve të tregut, Banka e Shqipërisë po punon gjithashtu edhe në drejtim të përmirësimit të sistemeve të pagesave për prezantimin e standardeve të reja të komunikimit dhe shërbimeve, të cilat ndihmojnë në adresimin e nevojave infrastrukturore për zbatimin e strategjisë. Gjithashtu, së bashku me aktorët e tregut, ne do të intensifikojmë përpjekjet për realizimin e projektit Instant Payment”, deklaroi guvernatori.

Sejko informoi po ashtu se, po punohet për krijimin dhe zbatimin e një Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Themeluesi”, figura e Ismail Qemalit në prizmin e koncepteve të lidershipit
Artikulli tjetërBalla: Porti i Durrësit na përfshin në industrinë e turizmit global, Berisha në borderonë e Kremlinit