TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një bisedim me banorët e Kombinatit, Unazës e Astirit.
Berisha duke iu drejtua banorëve tha se, “ju është bërë padrejtësia më e madhe për interesa të trafikantëve dhe politikanëve të lidhur me ta”.
“Dua t’ju shpreh mirënjohjen më të pakufishme, ju banorëve të Astirit, për qëndresën tuaj heroike, qytetare, ndaj njërës nga padrejtësitë më të mëdha që një qeveri mund të bëjë ndaj qytetarëve të vendit, rrënimit të banesave të tyre, kryekëput për interesa të grupeve të trafikantëve më të fuqishme të vendit, për interesa të politikanëve të lidhur me këto grupe. Në mbi 400 ditë protestë, ju dëshmuat shpirtin tuaj të pamposhtur”, tha Berisha.
Berisha theksoi se, “protesta e 12 nëntorit do të jetë e paparë ndonjëherë në Tiranë”.
“PD është e angazhuar kryekëput në dy veprimtari të një rëndësie të jashtëzakonshme. E para, në një protestë të fuqishme, të paparë ndonjëherë në Tiranë. Të paparë ndonjëherë në Tiranë sepse kurrë në 30 vite ju banorë të Kombinatit, të Astirit, të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë nuk keni patur në krye të qeverisë një armik të qenies tuaj. Një armik të identitetit tonë kombëtar. Një armik të fëmijëve tuaj, të shkollimit tuaj, një armik të shëndetit të secilit prej jush dhe të çdo shqiptari”, u shpreh Berisha.





















