TIRANË, 1 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama informoi sot se qeveria po përgatit një supertaksim për tokën e lënë djerrë.
Në një takim me fermerët në Dvoran të Korçës, Rama tha se sot Shqipëria punon dyfishin e tokës bujqësore, por ka akoma copëza të papunuara.
“Për këto ne duhet të marrim disa masa të reja të cilat po i përgatisim, për një supertaksim të tokës së lënë djerrë. S’mund të lësh tokën e bukës djerrë se e ke pronë, jepe ta punojnë ose punoje vetë. Për titujt e pronësisë në zona të caktuara të tokës e kështu me radhë, në mënyrë që të shfrytëzojmë çdo metër tokë”, tha Rama.
Rama u shpreh se sot punohet dyfishi i tokës bujqësore sepse qeveria ka çuar ujin në parcelë, si dhe ndërtoi pika grumbullimi.
“Sot kemi një rrjet pikash grumbullimi në të gjithë Shqipërinë, që duhen shtuar, por ama i kemi. Imagjinoni, e kemi filluar këtë punë me 120 milionë euro eksporte, jemi sot duke i parë, eksportet bujqësore mund t’i arrijmë që këtë vit, gjysmë miliardi. Gjysmë miliardi eksporte bujqësore Shqipëria, e cila deri dje i kishte lënë fermerët rrugëve”, tha ai.
/r.e/






















