VARSHAVË, 19 tetor /ATSH-PAP/-Imperializmi rus duhet të ndalet për ta mbajtur botën të sigurt, deklaroi presidenti polak, Andrzej Duda për televizionin shtetëror italian RAI.
Në një intervistë dje në mbrëmje, presidenti polak Duda tha se për sigurinë e Evropës, për sigurinë e botës, imperializmi rus duhej të ndalej.
Duda tha gjithashtu se nëse Ukraina dështonte, rradha mund të ishte e Polonisë.
“Ne po mbështesim ukrainasit sepse ata po qëndrojnë kundër imperializmit rus”, tha ai.
Duda u ankua gjithashtu për atë që ai e shihte si mbështetje joadekuate nga Bashkimi Evropian për rreth dy milionë refugjatë ukrainas që Polonia po pret aktualisht.
“Është një turp që Bashkimi Evropian, institucionet e BE-së dhe qarqet politike të majta-liberale që po qeverisin sot BE-në dhe Parlamentin Evropian, nuk mund ta shohin me ndershmëri çështjen dhe të mbështesin një vend, banorët e të cilit po ndihmojnë me vetëmohim të tjerët”, tha Duda.
Duda, një aleate e qeverisë konservatore të Polonisë, shprehu gjithashtu shpresë për bashkëpunim të mirë me kabinetin e ri italian të krahut të djathtë, i cili pritet të drejtohet nga Giorgia Meloni.
“Politikat e Meloni përputhen shumë me pikëpamjen tonë… për botën”, shtoi Duda.//a.i/












