KIEV, 30 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje popullit rus të rebelohet kundër Vladimir Putinit dhe të ndalojë luftën.
”Për ta ndaluar këtë, duhet ta ndaloni këtë person në Rusi që do luftën më shumë se jetën”, tha Zelensky në një video-mesazh.
Në një video të dytë, Zelensky iu drejtua rajonit multietnik të Kaukazit në Rusi.
Raportohet se kryesisht janë anëtarë të pakicave etnike që dërgohen në zonën e luftës.
Zelensky akuzoi Rusinë për vdekjet, torturat, përdhunimet dhe shkatërrimet.
”Kjo mund të ndalet”, tha ai, ”por qytetarët duhet të ngrihen dhe të luftojnë”.
Presidenti ukrainas vlerësoi gjithashtu rezistencën në Rusi ndaj mobilizimit të pjesshëm të rezervistëve ushtarakë të Kremlinit.
Zelensky tha se 58 000 rusë janë vrarë në Ukrainë, një shifër që nuk është konfirmuar nga Moska dhe nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Ai tha se shumë ushtarë rusë do të dërgoheshin në luftime pa distinktivë ose dokumente, kështu që ata nuk mund të identifikohen dhe këshilloi ata që thirreshin nën armë që të bënin tatuazhe emrat e tyre në mënyrë që trupat e tyre t’u kthehen të afërmve./ a.jor.





















