Ballina Aktualitet

Reformat integruese, Qeveria tri oferta bashkëpunimi me opozitën

TIRANË, 19 shtator /ATSH-Gjergji Mima/ -Qeveria ka shtruar në tavolinë disa oferta për opozitën, të cilat kanë të bëjnë me vijimin e reformave për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati duke folur sot në konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, deklaroi se, “ka një ofertë nga ana e Kryeministrit dhe qeverisë shqiptare drejtuar opozitës shqiptare lidhur me ato çështje, të cilat konsiderohen çështje të përbashkëta që korrespondojnë me anxhendën e integrimit europian. Pra që nuk prekin as linjat programatike të formacioneve të ndryshme politike që ne përfaqësojmë”.

“Ka një ofertë në tavolinë për të vijuar për të mbështetur pa hezitim procesin e vettingut në të gjithë trupën e gjyqësorit dhe të prokurorisë. Sikundër, siç është raportuar në media, nga anëtarë të ndryshëm apo fraksione të Bundestagut gjerman kërkohen disa numra të caktuar në procesin e vettingut për të kuptuar, apo për të arritur në përfundimin që procesi i reformës në drejtësi ka arritur pikën e moskthimit mbrapsht”, tha Bushati.

Po kështu, vijoi ministri Bushati, “ka një ofertë konkrete në tavolinë në lidhur me përfundimin e reformës zgjedhore, duke qenë se vitin tjetër Shqipëria do të hyjë në zgjedhjet vendore. Ka një vullnet dhe dashamirësi përmes vendeve të ndryshme, përfshi qeverisë federale përmes ambasadave apo fondacioneve të ndryshme për ta mbështetur këtë proces me ekspertizë përveç se rolit të patjetërsueshëm të ODIHR”.

“Si ministër i Jashtëm i kam shkruar një letër para shumë kohësh ODIHR për të qenë pjesë e këtij grupi bipartizan që është krijuar në parlament në mënyrë që të kthehen të gjitha rekomandimet e ODIHR në ligj apo në akte të ndryshme normative”, tha Bushati.

“Po ka gjithashtu një ofertë të qartë në tavolinë për opozitën sa i përket ndërtimit të një strategjie afatmesme dhe afatgjatë sesi do të shërohet nga plagët sistemi i drejtësisë. E kam fjalën për t’i dhënë jetë shkollës së Magjistraturës për të sjellë magjistratët e rinj në radhët e sistemit gjyqësor”, tha Bushati.

Po, theksoi Bushati, “ka një disponueshmëri nga ana jonë për të diskutuar çdo çështje që mendohet se është e interesit të përbashkët”.

“Dialogu dhe thirrjet për për bashkëpunim nuk do të mungojnë. Sikundër nga ana tjetër jemi të vendosur të vijojmë me procesin e reformave. Dhe procesi i reformave është mjaft mirë i vizatuar në konkluzionet e Këshillit të qershorit. Për vijimësinë dhe konsolidimin e arritjeve në fushën e reformës në drejtësi. Për sfidat që kemi para në luftën kundër krimit të organizuar, të cilat nuk janë sfida vetëm për Policinë e Shtetit, apo për institucionet tona të sigurisë dhe ligjzbatuese, pasi bashkëpunojmë edhe me partnerë të tjerë rajonalë dhe elementë të cilët unë i përmenda qoftë për rolin konstruktiv që luan Shqipëria në rajon dhe bashkëpunimit me fqinjët”, u shpreh ministri Bushati.

Sipas ministrit Bushati, “të gjitha këto masa përbëjnë paketën e masave që ne e kemi si bukën e përditshme në tavolinën në tonë dhe po punojmë në mënyrë që në qershorin e vitit tjetër të nisim një proces edhe më të vështirë se ky që kemi tani, procesin e bisedimeve të anëtarësimit. Procesi screening do të vijojë javën e ardhshme dhe do të jetë një mundësi e mirë për armatën e teknicienëve për t’u mbajtur të kyçur të motivuar me të gjitha detyrimet që burojnë nga procesi i adaptimit të legjislacionit tonë me ato të BE”. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOKB – Budapesti: Hungaria nuk do të bëhet një vend migrantësh
Artikulli tjetërMaas – Ramës: Reformat tuaja i njeh e gjithë Europa