Ballina Flash

Mbi 600 studentë ekselentë të punësuar në administratën publike

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) zhvilloi takimin me temë: “Rinia dhe Diversiteti – Roli i Administratës Publike dhe Punësimet e të Rinjve”. Në takim morën pjesë Milva Ekonomi, ministër Shteti për Standardet dhe Shërbimet, Kleina Kasanai, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Geldi Belba, koordinator projekti.

Diskutimi me të rinjtë e Kongresit Rinor Kombëtar iu referua kryesisht reformës dhe sfidave në Administratën Publike dhe se sa e hapur është kjo e fundit ndaj nevojave të të rinjve dhe diversitetit.

Ministrja Ekonomi, u shpreh se “qeveria shqiptare tashmë i ka krijuar të gjitha hapësirat e nevojshme për angazhimin e te rinjve në administratën publike dhe se veç meritokracia, rezultatet e larta të arritura gjatë studimeve, e përgatitja e duhur akademike janë baza e çdo aplikimi të suksesshëm.”

Nga të dhënat e DAP tregohet se sot janë punësuar në administratën publike mbi 600 studentë ekselentë, 434 prej të cilëve mbas konkurrimit kanë fituar statusin e nëpunësit civil.

“Më vjen mirë që Tirana këtë vit si kryeqyteti europian i rinisë ja ka dalë të zhvillojë aktivitete të panumërta dhe i ka dhënë zë të rinjve, që realisht të besojnë se e ardhmja pavarësisht sfidave është këtu në Shqipërinë tonë europiane”, u shpreh ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, në një postim online.

Në përfundim të aktivitetit, të rinjtë drejtuan pyetje dhe më pas vizituan ekspozitën “Ukraina në 10 orë” nga Ben Blushi.

Ekspozita e hapur prej disa javësh në COD, rrëfen përmes artit të fotografisë, të vërtetat e një lufte që ende vazhdon.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Kina bën thirrje për dialog pas fjalimit të Putinit
Artikulli tjetërNegociatat, MFE nis takimet shpjeguese në Bruksel për Kapitullin 32