TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë çeli sot garën për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpalli sot thirrjen për fillimin e procedurave për plotësimin e pozicionit vakant për Drejtues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu bën thirrje të gjithë prokurorëve që janë të emëruar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të kandidojnë duke paraqitur një platformë kandidimi.
Platforma ndër të tjera duhet të përmbajë dhe të shoqërohet sipas rastit nga dokumentacioni që provon: Eksperiencën në ndjekjen e çështjeve sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar; Eksperiencën dhe aftësitë në organizimin dhe drejtimin e një strukture; Eksperiencën në hartimin e miratimin e rregulloreve administrative; Eksperiencën në çështje të cilat kanë marrë vëmendje të lartë publike, dhe ndërveprim me medien; Aftësitë në drejtimin efektiv të burimeve njerëzore; Vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë së Posaçme si një institucion funksional dhe efektiv; Imazhin publik të karrierës së tij/saj si prokuror.
Kandidatët që dëshirojnë të shprehin interesin për pozicionin vakant duhet të paraqesin platformën dhe dokumentacionin shoqërues brenda datës 02.11.2022, ora 24:00.
Platforma e kandidimit bashkë me dokumentacionin shoqërues duhet të paraqitet në rrugë postare ose dorazi pranë zyrës së protokollit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Gjithashtu, ky dokumentacion mund të paraqitet i skanuar në formatin “pdf” në rrugë elektronike, në adresën: [email protected].
/r.e/




















