TIRANË, 7 shtator /ATSH-I.Vata/ Deputeti i grupit parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Vangjel Dule, në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, deklaroi se Reforma Territoriale nuk ka arritur pritshmëritë me të cilat u prezantua.
Ai tha se nuk u arrit të frenohet procesi e shpopullimit të fshatrave dhe ky është katastrofik.
“Për mua, në fillim vjen demokracia dhe pastaj administrimi. Demokracia nuk është proces që nis dhe mbaron me ditën e zgjedhjeve. Është një proces i vazhdueshëm i cili shpreh vullnetin dhe kontrollon implementimin. A mendoni se Reforma e 2014 ka krijuar probleme në përfaqësimin harmonik të komuniteteve? Për mua, me kontaktin empirik që kam me disa bashki, ka krijuar probleme. Juve i mëshoni faktit të administrimit duke kërkuar përsosmëri. A ka një harmoni në Këshillin Bashkiak të Tiranës me 61 anëtarë, kur shumica nuk kanë lidhje me komunitetin? A mendoni se duhet ndërhyrë në ligj që të garantohen standarde më të larta për funksionimin e pushtetit vendor? U pohua fenomeni i zbrazjes së zonave rurale. U fol për fshatra inekzistente, problem që nuk nisi as me reformën e vitit 2014, por nuk është frenuar, përkundrazi është përshpejtuar. Nuk keni arritur ta ngadalësoni këtë proces, është katastrofike. Ajo që do të doja të konkludoja është se nuk është synimi i këtij komisioni që të vlerësojë se nëse administrata aktuale e njërës bashki apo e tjetrës funksionon më mirë sot sesa ajo e djeshmja. Pse? Rregullat, sistemi, kontrolli dhe balancat janë të duhurat që realisht vendi edhe në nivelet e pushtetit vendor të ketë ato kapacitete që mund të përballojë barrën e integrimit evropian”, tha Dule.
/j.p/r.e/






















