Ballina Ekonomi

Përfundon Unaza e re e Beratit, frymëmarrje për qytetin

TIRANË, 6 shtator/ATSH-Maela Marini/ Transformimi urban në Berat vijon përmes një sërë projektesh, disa prej të cilave kanë përfunduar dhe shumë të tjera janë ende në kantier, në faza të ndryshme punimesh.

Unaza e re e Beratit mbylli kantierin në terren, duke shënuar kështu një vepër të përfunduar me një impakt jashtëzakonisht pozitiv si në aspektin funksional, ashtu dhe atë turistik.

Aksi me gjatësi prej 4.1 km, nga ku 3 kilometra është rrugë e re që nuk ka ekzistuar më parë është një prej investimeve të rëndësishme që ka ndryshuar tërësisht strukturën e qytetit, duke lehtësuar ndjeshëm trafikun, duke afruar dhe ndërlidhur banorët e zonës, si dhe duke shkurtuar ndjeshëm kohën e lëvizjes drejt dy qyteteve të tjera, Çorovodës dhe Poliçanit.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot unazën e re të Beratit, ku sapo ka përfunduar puna duke rritur ndjeshëm frymëmarrjen e krejt qytetit.

Duke folur mbi këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore, kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo tha se “tashmë është urbanizuar komplet zona në të cilën kalon ky aks i rëndësishëm”.

“Tashmë bajpasi ka përfunduar. Ai lehtëson ndjeshëm trafikun, veçanërisht kjo u pa edhe gjatë pelegrinazhit të fundit në malin e Tomorit. Ky aks ka urbanizuar gjithë zonën, është krijuar një rrugë ku njerëzit bëjnë ecje pasdite pasi bajpasi është mbi 4 km. Peizazhi që lugina ofron buzë lumit Osum krijon një atmosferë pozitive. Bajpasi ka të gjitha gjitha kushtet e një rruge urbane me korsi biçikletash, trotuare dhe ndriçim. Pasdite ndizen edhe dritat e kalasë duke krijuar një pamje madhështore, ndërsa në krahun tjetër është mali i Tomorit”, shtoi Demo.

Ky investim zgjidh problemin e trafikut dhe ndotjen mjedisore në rrugën “Antipatrea”, si dhe lehtëson hyrjen dhe daljen nga qyteti i Beratit edhe për banorët e bashkive Poliçan dhe Çorovodë.

Segmenti prej 4.2 kilometrash, nis në fillim të rrugës “Santa Lucia” (stadiumi i vjetër) dhe përfundon në kufi me bashkinë Poliçan (stacioni i fundit urban). Në kuadër të këtij investimi, ka edhe një dalje të dedikuar për lagjen “Uznovë”.

Projekti është konceptuar sipas modeleve më të mira të infrastrukturës urbane, ku nuk mungojnë hapësirat për këmbësorët, rrugët dytësore si dhe korsitë e biçikletave.

Investimet që po kryhen në bashkinë e Beratit vitet e fundit do të kenë një ndikim të madh në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, si dhe t’i japin një hov të ri turizmit në qytetin e një mbi një dritareve.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFelaj pret anëtarë të Klubit të të Rinjve nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut
Artikulli tjetërNdreu: Projekt i ri rekrutimi në FA me mbështetjen e DASH-it