TIRANË, 24 gusht /ATSH-I.Vata/ Në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë u zhvillua sot takimi mes drejtuesve të Policisë Vendore Dibër e Kukës me drejtues të Policisë Kufitare të Maqedonisë së Veriut.
Takimi u zhvillua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Policinë kufitare të Maqedonisë së Veriut për përballimin me sukses dhe menaxhimin e fluksit të lartë të turistëve dhe shtetasve shqiptarë që vijnë për të kaluar pushimet në Shqipëri, ku falë veprimeve të koordinuara janë eliminuar vonesat, duke shtuar në maksimum sportelet si në hyrje, ashtu dhe në dalje.
Në takim nga pala shqiptare morën pjesë drejtori Vendor i Policisë Dibër Drejtues i Parë Skënder Hita, shefi i Sektorit të Analizës Strategjike Kryekomisar Bashkim Hajdari, drejtori Vendor për Kufirin dhe Migracionin Kukës Drejtues Gani Zeneli, shefi i Seksionit, shefi i Stacionit dhe specialistë për Kufirin.
Nga pala maqedonase morën pjesë drejtori Rajonal për Kufirin me qendër në Ohër, Fisnik Hani, shefi i Stacionit për Kufirin Bllatë Arben Ramadanovski, inspektor i pavarur për bashkëpunimin ndërkufitar Bajram Limani, inspektor i lartë për krimet ndërkufitare Dritëro Alili, inspektor për kufirin në Stacionin Bllatë Valon Hani.
Takimi gjithashtu u fokusua në marrjen e masave për parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet vijës së kufirit, kontrabandës me mallra të akcizës e mallra të tjera.
Gjithashtu u diskutua dhe për shkëmbimin e informacionit në lidhje me veprimtaritë e paligjshme përgjatë vijës së kufirit, shtim të patrullimeve dhe rritjen e sigurisë për turistët.
/r.e/






















