Ballina Aktualitet

Tabaku: Rrezikojmë legjitimimin e pastrimit të parave

TIRANË, 19 gusht /ATSH-I.Vata/ Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku reagoi sot në lidhje me dhënien e shtetësisë shqiptare të huajve.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se së bashku me amnistinë fiskale rrezikojnë të kthejnë Shqipërinë në një vend ku pastrimi i parave do të zyrtarizohet me ligj.

“Shqipëria pas një përpjekje të gjatë 30-vjeçare nisi segmentin e fundit të procesit të integrimit përmes hapjes së dritares së negociatave. Normalisht kjo duhet të shënonte dhe fundin e procesit të integrimit. Një proces tejet delikat për nga natyra aq sa edhe kryeministri u detyrua të ndërronte drejtim dhe të risillte në jetë Ministrinë e Integrimit qoftë edhe si emër. Kjo duhet të kthehej në një prioritet kombëtar, ku çdo ligj iniciativë dhe çdo përpjekje të ishte në funksion e shërbim të këtij procesi!  Por e gjitha gjithë rrezikon të kthehet në nul. Arsyeja është iniciativa e fundit, dhe jo vetëm, për shitjen e nënshtetësisë të ashtuquajturën pasaporta të florinjta! Kjo përveçse një pengesë e panevojshme do të kthehet njëkohësisht  dhe ne problem. Për sigurinë por dhe për pastrimin e parave. Së bashku me amnistinë fiskale rrezikojnë të kthejnë Shqipërinë në një vend ky pastrimi i parave do të zyrtarizohet me ligj”, u shpreh ajo.

Po ashtu, Tabaku shton se politika duhet të diskutojë për një strategji kombëtare për zhvillim e integrim.

“Kjo së pari tregoj dështimin e politikave ekonomike, menaxhimit buxhetor por dhe varfërinë e strategjive për tërheqjen e investime të huaja si dhe kapitalit vendas.Në kohë krize, rritje çmimesh e inflacioni, rënie konsumi e rritje te varfërisë politika duhet te jene në shërbim te shumicës. Sot e gjithë politika duhet të diskutojë për një strategji kombëtare për zhvillim e integrim, për politika për të diversifikuar energjinë, si mund të mbështesim turizmin e bujqësinë dhe jo si të tërheqim kapital e aseteve ta vendosura në mënyrë kriminale e korruptive që cenojnë stabilitetin por dhe të ardhmen. Kush dyshon mjafton të lexojë prononcimin e delegacionit të BE për Reporter. Më tej të shohë se si raportet e BE kanë kërcënuar qeverinë për këto hapa anormalë. Askush nga shqiptarët nuk do të tregtojë lirinë e tij për të udhëtuar pa viza në BE në këmbim të një ligji që pastron paratë e pista të atyre që nënshtetësinë tonë e kërkojnë sepse na mendojnë një lavatriçe e madhe apo një trampolinë për në BE. Vlerat dhe standardet e BE nuk mund të jenë për shitje”, u shpreh Tabaku.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFotoja e Dedë Jakovës, atmosferë nga viti 1936
Artikulli tjetërProcedohet me pagesat e subvencioneve për bujqit